Sulmi terrorist në veri: Osmani kërkon sanksione ndaj Serbisë

E publikuar: 26/09/2023 19:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier.

Ajo tha se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi lidhur me sulmin terrorist mbi policinë e Kosovës, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Osmani ka kërkuar sanksione ndaj shtetit serb.

“Shpresoj që pasi shtetet aleate të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme për konfirmimin e informacioneve që kanë të bëjnë me sulmin e fundit ndaj Kosovës, do të ndërmarrin masa konkrete dhe sanksione ndaj Serbisë, për shkak të involvimit të saj të drejtpërdrejtë në këtë sulm, qoftë si shtytëse, organizatore apo lehtësuese e tij”, tha Osmani.

E para e shtetit të Kosovës falënderoi aleatët, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe solidaritetin pas vrasjes së rreshterit policor, heroit të Kosovës Afrim Bunjaku, si dhe bashkëpunimin dhe përkrahjen e institucioneve të sigurisë në këtë kohë kur po sfidohet rëndë siguria kombëtare e Kosovës.

Ndërkaq, ambasadori i ShBA-së Hovenier, shprehu edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për vrasjen e policit të Kosovës.