Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se nga hetimet ndaj grupit kriminal që kreu sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc janë zbuluar edhe dy raste të tjera të rënda kriminale, të cilat aktualisht janë në proces hetimi.
Ai në një intervistë për KosovaPress, deklaroi se ky grup ka vepruar për një kohë të gjatë në Kosovë dhe se bëhet fjalë për një ndërmarrje të mirëorganizuar nga shërbimet sekrete të Serbisë, me qëllim destabilizimin e vendit.
Kreu i policisë, konfirmon se ka edhe persona të tjerë të dyshuar për sulmin e mbrëmjes së 29 nëntorit të vitit të kaluar në kanalin e Varagës në Zubin Potok, duke shtuar se Policia e Kosovës po ndjek pista të tjera hetimore.
Hoxha ka prezantuar dëshmi që, sipas tij, vërtetojnë lidhjen direkte të të arrestuarve me institucionet e sigurisë së Serbisë. Ai ka theksuar se njëri nga të arrestuarit posedonte libreze ushtarake që dëshmon se ka qenë pjesë e shërbimit inteligjent të Ushtrisë së Serbisë, me gradën e togerit.
Sipas tij, armatimi, pajisjet dhe mënyra e veprimit të këtij grupi lidhen edhe me dy vepra të tjera të rënda kriminale të ndodhura në Kosovën e pasluftës. Megjithatë, Hoxha ka bërë të ditur se detajet nuk mund të publikohen për momentin, për shkak se rastet janë ende në hetim dhe në koordinim me Prokurorinë Speciale.
Drejtori i Policisë ka theksuar se mënyra e përzgjedhjes së cakut, vendosja e eksplozivit, sasia e tij dhe mënyra e tërheqjes pas sulmit dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për një akt të rastësishëm, por për një operacion të planifikuar dhe të organizuar mirë nga shërbimet sekrete të shtetit fqinj.
Hoxha ka folur edhe për bashkëpunimin me Byronë Federale të Hetimeve, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FBI), duke thënë se Policia e Kosovës ka kërkuar zyrtarisht mbështetjen e tyre për të rritur kredibilitetin e hetimit. Ai ka bërë të ditur se ekspertë të FBI-së kanë ardhur në Kosovë dhe kanë ndihmuar në monitorimin dhe analizimin e provave.
Sipas tij, gjatë bastisjeve të kryera një ditë pas sulmit, janë gjetur dëshmi materiale që ndërlidhen drejtpërdrejt me shpërthimin në Ibër-Lepenc. Ai ka theksuar se analizat forenzike kanë konfirmuar se ADN-ja e gjetur në fitilin e përdorur për shpërthimin përputhet me ADN-në e personave të arrestuar, ndërsa disa prova janë ekzaminuar edhe në laboratorët e FBI-së.
I pari i organeve të rendit, shtoi se sulmi në Ibër-Lepenc është një nga rastet më të rënda me të cilat është përballur Policia e Kosovës, pas sulmit në Banjskë. Sipas tij, qëllimi i sulmit ka qenë futja e Kosovës në kolaps ekonomik dhe energjetik, si dhe krijimi i pasigurisë totale, veçanërisht në veri të vendit.
Ai ka shtuar se hetimet për këtë rast kanë zgjatur me muaj dhe se reagimi i institucioneve të Kosovës ka qenë i shpejtë dhe profesional, duke bërë që prodhimi i energjisë elektrike të mos ndërpritet asnjë orë pas sulmit.
Një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave: Jovan Viçentijeviq, Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimiviq.
Ata akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues, kryerje të veprës terroriste, armëmbajtje pa leje dhe spiunazh, lidhur me sulmin ndaj infrastrukturës kritike të kanalit Ibër-Lepenc.
















