Reuters, BBC, AssociatedPress, abcNews, janë vetëm disa nga mediat ndërkombëtare që kanë shkruar për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ku mbeti një polic i vrarë dhe një tjetër i plagosur.
“Njësitet e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe po sa kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitet policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, ka njoftuar Policia e Kosovës, transmeton dukagjini.
Siç shkruan Reuters, trupat e NATO-s, KFOR, së bashku me anëtarët e forcës policore të BE-së, EULEX dhe policisë së Kosovës, mund të shiheshin duke patrulluar rrugën që të çon në Banjska, sipas një reporteri të Reuters.
Ndërkaq, AP shkruan se një polic i Kosovës u vra dhe një u plagos në një sulm në veri, duke rritur tensionet me Serbinë.
Ndërkaq, në veri të vendit janë dëgjuar përsëri të shtëna armësh.

















