“Sulmet serbe ndaj popullatës në Kosovë ishin në rritje”, Clark tregon si lindi plani për ndërhyrje

E publikuar: 17/11/2025 13:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark, ka nisur të dëshmojë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Clark ka treguar se sulmet serbe ndaj popullatës në Kosovë ishin në rritje dhe situata ishte duke u përshkallëzuar deri në atë pikë sa që ministri i Jashtëm i ShBA-së nisi të diskutonte problemin drejtpërdrejt me sekretarin amerikan të shtetit.

“Unë mendova se e dija se çfarë duhej bërë në këto kushte, por sipas procedurave të NATO-s, nuk kishim asnjë autoritet, pasuar udhëzime politike, nuk kishte plane konkrete. Fola me sekretarin amerikan të shtetit për këtë, nuk kam folur me asnjë ministër të jashtëm tjetër për këtë çështje, sepse më udhëzuan Shtetet e Bashkuara të mos flas me askënd tjetër”.

Clark ka kujtuar gjithashtu se në pranverën e vitit 1998 iu kërkua të përgatisë një plan, pa ditur nëse ministritë e jashtme apo të mbrojtjes ishin të përfshira.

Ai u pyet për kohën kur u raportua se familja e Jasharëve ishte vrarë.

“Unë shkova në Maqedoni, më duket se kanë qenë ditët e para të marsit, kishim një Task-Forcë të forcave amerikane në Maqedoni, që ishte vendosur para disa viteve për të qëndruar në kufirin mes Serbisë dhe Maqedonisë. Unë nuk kam qenë asnjëherë atje, shkova ta inspektoja. Menjëherë më merr në telefon ambasadori amerikan në Shkup, Chris Hill, dhe më thotë se duhej të flisja me presidentit e Maqedonisë. Kisha dëgjuar raporte se ishte vrarë familja Jasharajve, kishte shqetësime për këtë gjë. Por kur shkova ta takoja presidentin Glikorov, ai ma shpjegoi se tani do të fillojë një konflikt për shkak të kësaj, kjo vrasje do të nxisë një konflikt”, deklaroi Clark.

“Më tha se shqiptarët do të kundërpërgjigjen, shqiptarët nuk ta pranojnë këtë që ndodhi, shqiptarët do t’i rezistojnë kësaj vrasje”, citoi Clark presidentin maqedonas në atë kohë.