Hakerët kinezë dyshohet se kanë kryer një sulm të madh kibernetik, duke prekur të dhënat e miliona punonjësve të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Zyra për Menaxhimin e Personelit ka thënë se gati katër milionë të punësuar aktualë dhe të mëparshëm janë prekur.
Zyrtarët po ashtu kanë paralajmëruar se sulmi mund të ndikojë në çdo agjenci federale.
Susan Collin, anëtare e Komitetit të Senatit për Inteligjencë, ka thënë se sulmi dyshohet se ka origjinën në Kinë.
Ambasada e Kinës në Uashington ka kërkuar që të “mos kërcëhet në konstatime”.
Zëdhënësi i ambasadës, Zhu Haiquan, i ka thënë agjencisë Reuters se akuzat janë “të papërgjegjshme dhe kundërproduktive”.
Zyra për Menaxhimin e Personelit ka thënë se ka zbuluar sulmin në muajin prill, para se të bënte “përpjekjet agresive” për të zbatuar kontrolle më të rrepta. Sipas saj, FBI dhe Deparatamenti për Siguri Kombëtare janë duke hetuar rastin, për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmit.
FBI ka thënë se i merr shumë seriozisht të gjitha kërcënimet për sektorin kibernetik publik dhe privat dhe se do të mbajë përgjegjës ata që bëjnë kërcënime të tilla.
Kongresisti Adam Schiff ka kërkuar që bazat e të dhënave në internet të përmirësohen.
“Kërcënimet kibernetike nga hakerët, kriminelët, terroristët dhe aktorët shtetërorë janë sfida më e madhe me të cilën përballemi në baza ditore. Andaj, është e qartë se një përmirësim i konsiderueshëm në bazat tona të të dhënave, është rrezikshmërisht i vonuar”, ka thënë Schiff.
Zyra për Menaxhimin e Personelit shërben si departament i burimeve njerëzore për qeverinë federale. Ajo harton të dhënat e të gjithë punëtorëve federalë.
Informacionet që ruhen në bazën e saj përfshijnë funksionet e punonjësve, performancat dhe trajnimet e tyre.
Sulmi kibernetik në Zyrën për Menaxhimin e Personelit mund të jetë më i madhi, por kjo nuk është hera e parë që hakerët sulmojnë sistemet kompjuterike të qeverisë federale.
Kompjuterë të paklasifikuar të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit janë sulmuar, ashtu si edhe llogaritë në Twitter dhe YouTube të komandës ushtarake qendrore të SHBA-së.
Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme, i cili është përgjegjës për mbledhjen e taksave, ka thënë muajin e kaluar se hakerët kanë vjedhur informacionet e mbi 100,000 taksapaguesve amerikanë.
Hakerët kanë sulmuar edhe gjigantët komercialë, si Sony Pictures dhe eBay, raporton rel.
Për disa nga sulmet janë fajësuar Koreja e Veriut, Rusia dhe Kina. Ekspertët thonë se Kina është e etur për të futur duart e saj në sekretet industriale dhe tregtare të SHBA-së. Kina i mohon akuzat dhe thotë se ka qenë vetë shënjestër e sulmeve kibernetike të SHBA-së. (v.tela)