Sulmuesi i Partizanit, Xhevahir Sukaj qetëson tifozët duke deklaruar se nuk do të largohet në merkaton e dimërit.
Pas lajmeve të publikuara në të përditshmet sportive për mundësinë e transferimit në një klub të huaj, bomberi i “Demave të Kuq” preferon të vendosë pikat mbi “I” duke premtuar se aventura e tij në kryeqytet do të vazhdojë. Ai thekson se aktualisht nuk ka asnjë bisedim konkret me asnjë klub, duke hedhur poshtë zërat mediatikë.
28-vjeçari i lindur në Shkodër e ka nisur karrierën në radhët e Vllaznisë, ndërsa për tre sezone është aktivizuar në radhët e Sepahanit në Iran. Gjatë verës së këtij viti Sukaj u bashkua me Partizanin ku është aktivizuar në 16 takime dhe ka shënuar 9 gola. Aktualisht Sukaj po vuan dënimin e Komisionit të Disiplinës me 5 javë pezullim për shkak të kontestimit që i bëri gjyqtarit të ndeshjes kundër Skënderbeut.