Mbetet gjithcka e hapur në betejën nordike mes Suedisë dhe Danimarkës për një biletë në play offin e Euro 2016, me Zlatan Ibrahimovioc me shokë që janë gjithsesi më të favorizuar për të siguruar kualifikimin pas fitores 2-1 në përballjen e parë.
Ishte një përballje plot rivalitet ajo në Friends Arena të Solnas, me suedezët që ishin në avantazh të dyfishtë por rrezikuan shumë të rikuperoheshin në barazim në fund. Suedia ishte më kërkuese në fillim por lideri i saj Zlatan po vuante për të gjetur rrugën e rrjetës në goditjet nga distanca dhe kur dukej se skuadrat do të shkonin në dhomat e zhveshjes me rrjeta të paprekura, Emil Forsberg zhbllokoi rezultatin në minutën e 45.
Në pjesën e dytë Zlatan Ibrahimovic në kërkim të golit provoi pa sukses me kokë në minutën e 48, por gjigandit të skuadrës së Erik Hamern ju servir rasti i artë menjëherë më pas me Thomas Kahlenberg që shkaktoi një faull në zonë dhe nga pika e bardhë e 11 metërshit Zlatan nuk gaboi.
Të vetëdijshëm se nuk kishin më shumë për të humbur djemtë e Morten Olsen u hodhën në sulm dhe mundën të shkurtonin distancat në minutën e 80 me Nicolai Jorgensen që gjeti rrjetën e Isakson me një goditje nga distanca.
Minutat e mbetura ishin një vuajtje e vërtetë për Suedinë që u vë nën presionin asfiksues të Danimarkës, që pati disa raste për të barazuar me Suedinë që për pak sa nuk shkaktoi një autogol, ndërsa Jorgensen nuk mundi të barazonte llogaritë në minutën e 90 në një goditje me kokë nga qendra e zonës. Në fund gjithchka u mbyll në shifrat 2-1 për Suedinë, një avantazh domethënës por jo i parikuperueshëm në ndeshjen e kthimit./ss/