“Subvencionet 1”, i akuzuari thotë se asnjëherë në jetën e tij nuk ka pranuar para për subvencione

E publikuar: 04/07/2024 20:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në rastin e njohuri si “Subvencionet 1”, i akuzuari Salih Statovci ka thënë se asnjëherë në jetën e tij nga askush nuk ka pranuar para në emër të subvencioneve.

Këtë deklarim Salih Statovci e bëri në seancën e së enjtes, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Tahir Rrecaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me pretendimin e Prokurorisë se Kastriot Berisha kishte deklaruar se pasi që kishte përfituar parat e subvencioneve ishte takuar me tani të akuzuarin Salih Statovci dhe i kishte dhënë para dy herë, ky i fundit e mohoi këtë duke thënë se as nga Berisha e nga askush tjetër nuk ka pranuar ndonjëherë para.

“Unë rreth deklaratave të Kastriot Berishës të cilat i ka jep se kinse më ka jep një shumë një herë 26 mijë dhe një herë 60 mijë unë mund të them se kurrë në jetën time as edhe një euro të vetme nuk kam pranuar nga Kastriotit ose dikujt tjetër”, tha i akuzuari Salih Statovci.

Sipas tij, arsyeja pse Berisha ka deklaruar kundër tij është presioni që i është bërë nga Prokuroria.

“…sepse në kohën kur e ka nënshkruar deklaratën prokurori ia ka hek dy vepra që ka qenë i dyshuar falsifikim të dokumentit dhe dhënie të ryshfetit, me pas dal prej paraburgimit nashta edhe unë i kisha pranu”, tha Statovci.

Paraprakisht, Statovci ka treguar se është pronar i kompanisë Eco Fruits si dhe bashkëpronar me bashkëshorten e tij në kompaninë “Eco Consulting”, ku kjo e fundit sipas tij ofron shërbime këshillimore për bujqësi.

Statovi po ashtu ka shpjeguar se çfarë sipas tij nënkupton granti dhe subvencioni, ku për aplikim për grant ai tha se edhe Qeveria e Kosovës ose organizatat tjera kërkojnë që të përgatitet një biznes plan për investimin që do të bëhet, ndërsa subvencionet ai tha se i marrin të gjithë fermerët të cilët i plotësojnë kushtet nga qeveria ose kujt do që ofron subvencione.

Ai tregoi se si Kastrit Bershën e ka njohur në dy rrethana.

Herën e parë, ai tha se Berisha kishte qenë në zyrën e tij për përgatitjen e biznes planit për aplikim të grantit dhe herën e dytë ai tha se e njeh edhe prej kur ishin në paraburgim në Gjilan.

Tutje, Statovci ka thënë se Berisha nuk kishte kërkuar asnjëherë ndihmë rreth subvencioneve, por kishte qenë në zyrën e tij dhe kishte kërkuar ndihmë për përgatitjen e planit të biznesit për aplikim për grante.

“Rreth subvencioneve nuk jemi takuar sepse kompania jonë nuk merret me subvencione, ndërrimin e kulturave as nuk e di qysh bohet, a e bënë Ministria a e bënë Zyra Regjionale unë nuk e di sepse në merremi vetëm me përgatitjen e biznes planeve për grante”, ka thënë Statovci.

Kurse për personin Fuat Morina i cili më parë kishte deklaruar si dëshmitar bashkëpunues, i akuzuari Statovci tha asnjëherë më parë në jetën e tij nuk e ka takuar atë person, përveç për herë të parë në gjykatë.

Morina kishte deklaruar se të akuzuarit Salih Statovci ia kishte dhënë dy herë shumën mbi 27 mijë euro pas marrjes së subvencionit, që për këtë deklaratë Statovci tha se ka qenë e shkruar nga Prokuroria.

“Ky person në dëshminë  e tij të dhënë në gjykatë unë mendoj se e ka harruar tekstin të cilin ja ka shkru Prokuroria pasi që disa herë më radhë herë thojke ja kom jep paret Salihit edhe herë thojke Kastriot Berishës …, unë mendoj që ky e ka harru deklaratën që e ka pas të shkrume”, ka thënë Statovci.

Ndërsa, personin Flamur Zeqiri, Statovci tha se e njeh si figurë i cili kishte qenë në zyrën e tij për përgatitjen e planit të biznesit për aplikim të granteve, dhe mohoi të ketë biseduar ndonjëherë me të njëjtin për subvencione.

Ndërkaq, me kompaninë  “Bio-Q-Check”, Statovci ka thënë se nuk kanë pasur asnjë marrëveshje bashkëpunimi, por sipas tij, nëse dikush nga fermerët ka pyetur se a ka ndonjë kompani që bënë certifikimin e produkteve dhe sigurimin e ushqimit, atëherë ai tha se të njëjtit ka mundur t’i referoj tek kjo kompani.

E në lidhje me shumën e parave në vlerë prej 406 mijë euro të cilën prokurori special Dren Paca tha pas kontrollit të policisë janë gjetur dhe sekuestruar në shtëpinë e Statovcit, i akuzuari Statovci tha se prejardhja e tyre është dëshmuar edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe sipas tij nuk janë para të përfituara në mënyrë të kundërligjshme.

Arsyet se pse këto para i kishte mbajtur në shtëpi e jo në bankë, Statovci tha se e para është se institucionet bankare në rast falimentit garantojnë vetëm shumën prej 5 mijë euro dhe arsyeja e dytë sipas tij është se ka bërë pagesa për fermerët.

Kjo shumë e parave të sekuestruara, sipas tij, është e tërhequr nga banka dhe për këtë ai tha se mund të dëshmohet nga llogaritë bankare.

Ndërsa, për pjesën e komunikimeve të nxjerra nga ekzaminimi i telefonave për të cilat u pyet nga prokurori Paca, Statovci tha se në konstultim me mbrojtësin e tij nuk do të përgjigjet për këtë pjesë, pasi që konsiderojnë se këto janë prova të papranueshme për shkak se janë nxjerrë para aktvendimit për fillimin e hetimeve.

Në seancat e radhës do të vazhdohet me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit tjerë.

Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj,  Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.

Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.

Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.

Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti,  për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.

Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera./BetimipërDrejtësi

Gatimet tona pjekën në prush, prandaj edhe janë më të shijshme!

Posted by Pep's Taverna on Tuesday, April 28, 2020