Stuhi të fuqishme e kanë goditur pjesën veriore të Evropës të martën, përfshirë Gjermaninë dhe Holandën, duke shkaktuar anulimin e fluturimeve, pengesa në udhëtimet me tren dhe në portet detare.
Zyra meteorologjike holandeze e kishte dhënë alarmin për bregdetin e saj verior duke thënë se stuhitë arritën shpejtësi prej 120 km në orë.
Ndërkaq në Gjermani, ku stuhitë pritet të arrijnë deri në 160 km në orë, është thënë se fjala është për erëra të fuqishme që s’kanë ndodhur vitet e fundit.
80 fluturime në Holandë e rreth 40 fluturime në Frankfurt janë anuluar për shkak të motit.
Edhe në Britani, erërat kanë arritur shpejtësi prej 160 km për orë, gjë që shkaktoi mbylljen disa orëshe të një ure kryesore mbi Lumin Temzë.