Studimi: Jeta fillon kur je 50 vjeç

E publikuar: 18/09/2015 00:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Royalty-Free Stock Photography by Rubberball.com

Cilat janë vitet më pak të lumtura në jetën e një njeriu? Kur fillon vërtet lumturia? Një studim i kryer nga Instituti Australian për Studimin e Familjes hedh poshtë thënien e vjetër se “jeta fillon 40 vjeç”. Në fakt, sipas studimit, jeta fillon 50 vjeç.

Sipas të dhënave të mbledhura nga studiuesit, deri në moshën 15-vjeçare, njerëzit janë të kënaqur. Por pas të 20-ave, niveli i kësaj kënaqësie bie dukshëm dhe vijon rënien graduale deri në moshën 35-vjeçare.

Pas kësaj moshe, të qenit i lumtur me jetën mbetet në nivele minimale deri sa arrin në të 50-at, kur fillon përmirësimi, i cili vijon deri në 80 vjeç.

Studimi është bazuar në vëzhgimin e mbi 27 mijë personave të moshës 15-90 vjeç, gjatë një harku kohor 12-vjeçar. Gjatë kësaj kohe, ata janë pyetur vazhdimisht nëse janë të kënaqur me jetën e tyre dhe u është kërkuar ta vlerësojnë jetën e tyre me një notë nga 0 në 10, lidhur me ngjarje si largimi nga shtëpia e prindërve, lindja e fëmijëve, divorci, pensioni apo vdekja e partnerit.

Sa i përket ndarjes femra-meshkuj, niveli i lumturisë në moshë të rritur favorizon burrat, por rolet ndërrohen në moshë të mesme, për t’u barazuar në periudhën e pensionit.

Eksperti që ka drejtuar studimin, David de Vaus, thotë se mosha më e vështirë është ajo nga 35 në 50 vjeç, kur pesha e faturave për t’u paguar është më e madhe, si dhe shtohet presioni i karrierës e ai i rritjes së fëmijëve.

“Është mosha në të cilën presionet e punës shkojnë drejt maksimales, kur ka ndryshime të forta në karrierë dhe ndarjet e divorcet janë më të mundshme”, thotë ai për moshën pas të 35-ave.

Rritja e nivelit të lumturisë lidhet me martesën, nisjen e bashkëjetesës me partnerin dhe për gratë muajt e shtatzënisë. Niveli i lumturisë bie menjëherë për femrat dhe meshkujt para vdekjes së partnerit, për shkak të sëmundjeve që i paraprijnë. Lumturia arrin nivelin minimal në vitin e parë pas largimit nga jeta të partnerit/es.