Studim i hollësishëm për ndikimin e telefonave mobilë në zhvillimin mendor të fëmijëve

E publikuar: 11/06/2015 16:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një studim i hollësishëm rreth asaj nëse telefonat mobilë dhe pajisjet e tjera të ngjashme ndikojnë në zhvillimin mendor të fëmijëve është duke u përgatitur dhe do të duhej të zgjaste disa vjet, njofton BBC.

Studimi, i cili nga shtatori do t’i përfshijë 2.500 fëmijë të moshës 11 dhe 12-vjeçare do të fokusohet në aftësitë e tyre njohëse – të menduarit, kujtesën dhe vëmendjen. Ai do të përsëritet në vitin 2017, transmeton Koha.net.

Aktualisht ka shumë pak informacione specifike për atë se çfarë ndikimi ka teknologjia informatike tek fëmijët, dhe për këtë arsye Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) ka theksuar se hulumtimi në këtë fushë është i një prioriteti të lartë.

Më shumë se 160 shkolla të mesme në dhe rreth Londrës do të ftohen për të marrë pjesë në studim.

Deri tani shumica e hulumtimeve për përdorimin e telefonave mobilë është përqendruar tek të rriturit, dhe në veçanti lidhur me rrezikun e kancerit të trurit, por pa asnjë konkluzion që do të konfirmonte se ekziston ndonjë dëm gjatë përdorimit të tyre.

Megjithatë, për shkak të mungesës së provave, këshillohet që fëmijët dhe të rinjtë nën moshën 16-vjeçare të përdorin pajisje mobile vetëm për qëllime të jashtëzakonshme, madje me kufje.

“Këshillat për prindërit bazohen në kujdes dhe jo në provat në dispozicion në lidhje me efektet e dëmshme, sepse prova të tilla nuk ekzistojnë”, tha shkencëtarja udhëheqëse e projektit, Mireille Toledano, nga Imperial College në Londër.

Grupi i fëmijëve të moshës 11 dhe 12 vjeçare është veçanërisht i rëndësishëm për shkak se pikërisht në atë moshë shumica e fëmijëve i marrin telefonat e parë mobilë, transmeton Koha.net.

Ekziston një teori e cila tani për tani është e pakonfirmuar, se truri i fëmijës është më i ndijshëm për shkak se është ende në fazën e zhvillimit.