Studenti fitoi për herë të 14-të titullin kampion të Shqipërisë në volejboll për meshkuj duke mundur 3-1 në ndeshjen e pestë Tiranën, që pavarësisht dëshirës nuk arriti të ndalë dot skuadrën e Ylli Tomorrit. 23-25, 26-24, 25-18 dhe 25-14 ishte rezultati i ndeshjes finale në favor të Studentit, që në setin e tretë dhe të katërt tregoi se nuk ka rivalë mbi parket, duke i lejuar madje vetëm 32 pikë skuadrës bardheblu, që psikologjikisht vuajti jo pak superioritetin e kundërshtarit. Përballë Studentit që kishte fituar 11 tituj kampion në 13 vitet e fundit, Tirana kërkonte të rikthehej te trofeu pas plot 21 vjetësh dhe fillimi ishte vërtetë shumë i mirë për bardheblutë, që të mbështetur dhe nga tifozët e tyre, arritën të sigurojnë një epërsi të shpejtë në ndeshje aq sa u shkëputën në 12-5. Megjithatë Studenti arriti të ngushtojë shifrat dhe në fund, Tirana fitoi me vështirësi 25-23 falë një zhytje të saktë nga vija e parë. Dhe seti i dytë ishte i ekuilibruar, me Studentin që e nisi mirë, por Tirana arriti të organizohej dhe në fund sërish seti u nda në vetëm dy pikë me Studentin që fitoi 26-24.
Në setin e tretë, përvoja e Studentit bëri të veten, me skuadrën e Ylli Tomorit që fitoi me 7 pikë epërsi 25-18. Seti i katërt nisi sërish me avantazhin e Studentit 3-1. Tirana barazoi rezultatin në 3-3, por nga ky moment Studenti filloi të shkëputej duke vajtur në 8-5. Loja e mirë e Studentit bëri që diference të shkonte deri në 7 pikë me Tiranën që e kishte të pamundur të përballonte ngritjet në rrjetë të kampionëve në fuqi, që arriti të fitojë 25-14 duke bërë të sajën ndeshjen e pestë por dhe trofeun e kampionit për herë të 14-të në histori./supersport.al/