Nuk pranojnë 600, por 900 euro
Organizata Studentore “Reforma” sot rreth orës 13:00 para rektoratit të Universitetit të Prishtinës ka zhvilluar një aktivitet simbolik për të shprehur kundërshtimin e vendimit të Këshillit Drejtues të UP-së për uljen e vlerës së bursës studentore që ndanë Universiteti “Hasan Prishtina” për studentë të shkëlqyer nga 600 sa kishte qenë vitin e kaluar në 500 euro.
Nënkryetari i organizatës studentore “Reforma” Arben Elshani tha se kërkojnë që të jetë 900 euro e jo 600 sa tha rektori Marjan Dema se mund të bëhet.
“Ne nuk do ta pranojmë shumën prej 600 euro. Ne do të kërkojmë që shuma të jetë 900 euro si ka qenë më herët. Duke u bazuar në shpenzimet që kemi, 900 euro është një shumë e mjaftueshme”, tha ai.
Elshani paralajmëroi se nëse kërkesa nuk u plotësohet mund të priten protesta.
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina, Marjan Dema sot paradite bëri të ditur se do të shqyrtohet përsëri vendimi që vlera e bursës studentore të jetë 600 euro.
Ndryshe, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë vendim për uljen e shumës së bursës që u ofrohet studentëve të suksesshëm në nivelin Bachelor. Në një vendim të datës 27 dhjetor bëhet e ditur se bursat që do t’u shpërndahen studentëve për vitin akademik 2017/2018 do të jenë në shumën 500 euro./21Media

















