Presidenti Bajram Begaj, ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel.
Ndërsa, Presidenti Begaj tha se angazhimi i Shqipërisë në NATO do të vijojë të rritet, dhe theksoi se anëtarësimi i Kosovës në aleancë është i domosdoshëm.
Presidenti Begaj: U bë më shumë se një vit që jemi dëshmitarë të një lufte nga agresioni i provokuar i Rusisë. NATO ka demonstruar kohezion, solidaritet. Në këtë kohë sfidash për sigurinë euroatlantike është kryesor përditësimin e planit të mbrojtjes. Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës janë të mirëpritura,. Ne do të jemi për ruajtjen e kohezionit ndërkombëtar për Ukrainën.
Stoltenberg: Ka një prani të konsiderueshme të NATO në Kosovë dhe kjo ka rezultuar e rëndësishme. Ne vlerësojmë edhe diskutimet kohët e fundit në BE. NATO do të vazhdojë të lehtësojë dialogun. Tani kemi mundësi historike që mund të jetë me rëndësi për rajonin dhe është e rëndësishme që palët të tregojnë interes për kompromis.
FJALA E PRESIDENTIT BAJRAM BEGAJ:
Zoti Sekretar i Përgjithshëm,
I dashur Jens,
Zonja dhe zotërinj,
Së pari, më jepni kënaqësinë t’i shpreh mirënjohjen time të thellë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, zotit Stoltenberg për takimin e frytshëm që zhvilluam sot.
Vlerësoj lidershipin Tuaj dhe punën e jashtëzakonshme që jeni duke bërë në këtë kohë të sfidave të mëdha, që nuk janë parë prej dekadash në kontinentin tonë. U bë më shumë se një vit, që jemi dëshmitarë të një lufte konvencionale në Europë, rezultat i një akti të paprecedentë të agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj një vendi sovran, Ukrainës. Ky akt ka tronditur paqen, stabilitetin dhe arkitekturën e sigurisë në Europë. NATO ka demonstruar kohezion, solidaritet, unitet, vendosmëri dhe forcë reaguese për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të Aleancës dhe vendeve anëtare.
Në këtë kohë sfidash për sigurinë Euro-Atlantike, është thelbësore implementimi i kuadrit strategjik të mbrojtjes dhe shkurajimit, si edhe përditësimi i planeve të mbrojtjes së Aleancës.Është veçanërisht e rëndësishme forcimi i tetë grupbatalioneve në krahun lindor të NATO-s.
Situata aktuale e bën të domosdoshme që rendi i qetësisë dhe i paqes ndërkombëtare të jetë fokusi ynë.
Për këtë arsye, zgjerimi i Aleancës është detyrim, ndaj, anëtarësimi i Suedisë dhe i Finlandës janë të mirëpritura dhe të domosdoshme.
Unë jam i lumtur që Parlamenti i Shqipërisë është nga të parët që e ka ratifikuar protokollin e anëtarësimit në NATO të Suedisë dhe Finlandës.
Në koordinim të plotë me Aleancën, Shqipëria i qëndron në krah dhe do të vazhdojë ta mbështetë Ukrainën në aspektin politik, diplomatik, ushtarak dhe të asistencës humanitare për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Në cilësinë e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në, ne do vijojmë të jemi proaktiv në ruajtjen e kohezionit ndërkombëtar për Ukrainën. Në Samitin e Madridit, aleatët rikonfirmuan rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.
Pavarësisht progresit të bërë në drejtim të integrimit Euro-Atlantik, rajoni vijon të karakterizohet nga zhvillime komplekse gjeopolitike dhe të sigurisë. Rusia përbën kërcënim domethënës dhe direkt ndaj NATO-s dhe Ballkanit Perëndimor. Ajo ka rritur përpjekjet e saj influencuese duke përdorur metoda të luftës hibride, subversionit politik, financimeve të paligjshme etj.
Qëllimi i saj është prishja e paqes, stabilitetit dhe bllokimin e reformave Euro-Atlantike të vendeve të rajonit.
Kemi ndjekur me shqetësim ngjarjet në veriun e Republikës së Kosovës në fund të vitit të kaluar. Shqipëria përshëndet dhe mbështet dialogun Serbi-Kosovë. Që nga viti 2008, Republika e Kosovës është një vend sovran dhe i pavarur me vizion të qartë për t’u integruar në familjen euro-atlantike. Plani europian për normalizimin e marrëdhënieve është një hap pozitiv që do duhet të qendërzohet në njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve. Vlerësoj maksimalisht angazhimin dhe përkushtimin e NATO-s në rajon dhe misionin KFOR, si një histori suksesi. KFOR, është garantues i paqes dhe i sigurisë në Kosovë dhe rajon. Ne jemi duke kaluar kohë të sfidave të mëdha, të cilat kërkojnë vendime të guximshme dhe të drejta. Në këtë kontekst është në bindjen time se është më se e justifikueshme për ta konsideruar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Aleancën Euro-Atlantike. Shqipëria vlerëson shqetësuese kërcënimin që vjen nga Irani.
Në korrik dhe shtator të vitit të kaluar ne u përballëm me një sulm të rëndë kibernetik të ndërmarrë dhe të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit.
Shqipëria në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë dhe NATO-n, arriti ta ndërpresë dhe të rikuperohet nga ky sulm, si edhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Qeveria shqiptare ka një plan ambicioz për forcimin e kapaciteteve digjitale dhe mbrojtëse kibernetike. Bashkëpunimi me NATO-n në këtë drejtim vlerësohet maksimalisht. Si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE, Shqipëria përshëndet nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të NATO-s me BE-në duke vlerësuar rolin e partneritetit strategjik të BE-së në mbrojtje të vlerave euro-atlantike. Shqipëria do të vijojë të përmbushë të gjitha detyrimet në kuadër të mbrojtjes kolektive. Angazhimi dhe kontributet e Shqipërisë në NATO do të vijojnë të rriten. Aktualisht jemi prezent në misionin KFOR, në Latvia dhe Bullgari, në kuadër të prezencës së përparuar.
Shqipëria ka rritur buxhetin e mbrojtjes në 1.86% të produktit të brendshëm bruto. Parashikojmë që vitin e ardhshëm të arrijmë nivelin 2%. Ndërkohë, Shqipëria do të vijojë modernizimin e Forcave të Armatosura dhe pajisjen me kapacitete të reja luftimi, mbështetjes me luftim dhe kapacitete logjistike. Diskutova me Sekretarin e Përgjithshëm, lidhur me ecurinë e punimeve në Bazën Ajrore Taktike të Kuçovës, të cilat po ecin sipas programit të miratuar. Qeveria shqiptare ka shprehur ambicien, ka paraqitur projektin dhe mirëpret një prezencë detare të NATO-s në portin e ri në Porto Romano. Ky port baze detare siguron prezencë detare për Aleancën në rajonin Adriatiko-Jonian, gjithashtu edhe akses në akset kryesore të korridorit tetë. Kjo ndihmon në rritjen e shpejtësisë dhe lëvizshmërisë së Aleancës në krahun lindor dhe Ballkanin Perëndimor.
I nderuar zoti Sekretar i Përgjithshëm,
Më lejoni që edhe një herë, t’ju falenderoj për diskutimin e hapur dhe të rëndësishëm që kishim sot.
Jam besimplotë se Samiti i Vilniusit do jetë një tjetër sukses dhe do të materializojë vendimet e mëdha të Samitit të Madridit.