Stojanoviq: Sulmet ndaj popullatës serbe kanë tejkaluar çdo masë

E publikuar: 07/12/2015 12:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për ato që mediet serbe sot i kanë quajtur sulme në Gorazhdec, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Branimir Stojanoviq.

“Aktorët e veprave penale, në shoqërinë demokratike nuk mund të jenë të panjohur, në të kundërtën kjo demokraci vihet në pikëpyetje”, thotë kumtesa nga Zyra e zëvendëskryeministrit Branimir Stojanoviq e cila dënon në mënyrën më të rreptë sulmet e natës së kaluar në Gorazhdec.

“Sulmet ndaj popullatës serbe kanë tejkaluar çdo masë. Ky është momenti kur në Kosovë të gjithë ata që mendojnë mirë duhet të pyeten ku shpie kjo sjellje. Jemi dëshmitarë se provokimet, frikësimet, dëmtimi i përmendoreve dhe i shenjtoreve por edhe sulmet e armatosura, nuk po ndalen. Ftoj të gjithë kompetentët t’ua ndalojnë rrugën aktorëve të veprave të tilla”, ka thënë Stojanoviq.

Sipas kumtesës, zëvendëskryeministri, edhe një herë ka apeluar te bashkësia ndërkombëtare, e edhe te kolegët, që me ndikimin tyre të nxisin policinë që ta bëjë punën e vet, të gjejë e të dënojë aktorët dhe kështu, siç ka thënë ai, në mënyrë preventive, të ndikojë edhe te sulmet e ardhshme.