Zëvendëskryeministri, Branimir Stojanoviq ka thënë se Lista Serbe në këto rrethana nuk do të kthehet në Kuvend. Ai ka bërë të ditur se nuk do ta votojnë Demarkacionin dhe as nuk do të bisedojnë me Qeverinë e Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura.
Si një zyrtar i lartë shtetëror i Kosovës, Branimir Stojanoviq, në një intervistë për seksionin në gjuhën serbe të Radios Evropa e Lirë, e bën të qartë se Lista Serbe mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave të komunitetit serb.
Duke iu referuar ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si një proces që po zgjat më tepër se një vit për shkak të mospajtimeve politike, Stojanoviq konfirmon se Lista Serbe nuk do të kthehet në Kuvend nëse eventualisht do të shtrohet çështja e votimit.
“Është më se e qartë se ka pak gjasa që të votohet në Kuvend kjo marrëveshje”, thotë Stojanoviq, duke rikujtuar se për Demarkacionin nuk ka pajtim as te partitë shqiptare.
Në rrethanat e krijuara politike, Lista Serbe, sipas Stojanoviqit, nuk dëshiron të diskutoj fare me Qeverinë e Kosovës as në lidhje me themelimin e Forcave të Armatosura.
Themelimi i këtyre forcave është i varur nga vota e deputetëve serb, pasi që Kushtetuta e Kosovës e njeh votimin e dyfishtë i cili kërkon mbështetjen e dy të tretave të komuniteteve pakicë në Kuvend.
“Mendoj se nuk është racionale dhe reale që dikush të paramendoj se do të mund të diskutojë me neve në lidhje me këtë temë kur është krijuar një atmosferë e tillë në të cilën serbët jetojnë”, ka thënë Stojanoviq.
Që çështja e Ushtrisë së Kosovës të mund të diskutohet me Listën Serbe, Stojanoviq thotë se duhet të ndryshohet gjendja aktuale, duke hequr dorë nga Ligji për Trepçën, nga ai për investimet strategjike si dhe të krijohen kushtet për kthimin e serbëve të zhvendosur nëpër shtëpitë e tyre.
Krejt në fund, Stojanoviq shpreh shqetësimin e tij edhe në lidhje me vonesat në procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në rrethanat aktuale politike mendoj se nuk është reale të pritet që kjo do të ndodhë shpejt. Ka shumë deklarata se Asociacioni do të themelohet, por vendim nuk ka dhe kjo për ne është shqetësuese”, thekson Stojanoviq.
Zvarritjet që po i bëhen themelimit të Asociacionit, sipas Stojanoviqit, duhet të adresohen te faktori ndërkombëtar për të sqaruar pse institucionet e Kosovën nuk po e zbatojnë një marrëveshje që e kanë nënshkruar vet.
















