Me vendin e tretë që tashmë duket si një mirazh në sfidat e mbetura të këtij sezoni trajnerit të Interit, Roberto Mancini do ti duhet të bëjë një rivlerësim të disa prej lojtarëve që ka në dispozicion. I pari në këtë listë është Stevan Jovetic, i cili është transferuar te klubi zikaltër në formë huazimi nga skuadra e Man.City-it me detyrim blerjeje në verën e vitit 2017. Për malazezin fillimi 2016-tës, nuk ka qenë aspak pozitiv. Goli i fundit në kampionat i shënuar nga Jovetic i takon datës 12 Dhjetor në takimin kundër Udineses, ndërsa në Kupën e Italisë sulmuesi ballkanas e ka e gjetur rrugën e rrjetës në sfidën ndaj Napolit të zhvilluar më 19 Janar. Pengesë për sulmuesin zikaltër janë bërë dhe dëmtimet e shpeshta që e kanë detyruar atë të qëndrojë larg fushës së blertë për një kohë të gjatë.
Pritet që sezonin e ardhshëm Jovetic të mos jetë pjesë e Interit. Për shërbimet e 26-vjecarit janë të interesuara disa klube nga Premier League.Nga Interi në verë mund të largohet edhe mbrojtësi Joao Miranda. Për brazilianin interesohen Bayern Munchen dhe Man.United. Pavarësisht paraqitjeve jo të mira me asnjë gol të shënuar deri tani për sulmuesin Eder i cili u transferua nga Sampdoria gjatë merkatos së Janarit me të drejtë blerjeje për 11 milionë Euro situata duket më favorizuese. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dyshen Ljajic- Telles. Të dy lojtarët nëse duan të qëndrojnë tek zikaltërit do t’u duhet të bindin trajnerin Roberto Mancini në 7 ndeshjet e mbetura të këtij sezoni.