Kryetarja e Listës Guxo dega në Prishtinë, Jeta Statovci ka kritikuar punën një vjeçare të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Sipas saj, udhëheqja e re e Komunës së Prishtinës si rezultat i zgjedhjeve në të cilat u bashkuan partitë politike për të parandaluar ndryshimin dhe zhvillimin që i duhej Prishtinës.
Ajo ka thënë se përtej premtimeve, një vit punë nuk shfaqi asgjë më shumë se sa rezultate tejet negative, e që sipas saj e kanë rënduar e vazhdojnë ta rëndojnë jetën e qytetarëve të Prishtinës.
“Bashkimi i të vjetrës me një fytyrë të re, ashtu si e kemi pritur, prodhoi një spektakël fillestar për t’u kthyer më pas tek avazi i vjetër. Këtu e një vit më parë, udhëheqja e re e Komunës së Prishtinës nisi punën e një mandati 4-vjeçar, si rezultat i zgjedhjeve në të cilat u bashkuan partitë politike për të parandaluar ndryshimin dhe zhvillimin që i duhej Prishtinës. Përtej premtimeve, një vit punë na shfaqi asgjë më shumë se sa rezultate tejet negative që e kanë rënduar e vazhdojnë ta rëndojnë jetën e qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Statovci në Facebook.
Statovci i rënditi disa nga problemet, që, sipas saj, e karakterizuan këtë vit në kryeqytet.
Sipas saj, Komuna e Prishtinës, përtej të gjitha vështirësive me problemin e rritjes së çmimeve, ka shënuar një përqindje të ulët të realizimit të projekteve kapitale.
“Prishtina këtë vit kishte një buxhet për investime kapitale në shumë prej 57.431,019 euro dhe nga kjo shumë është realizuar vetëm 9% deri në hyrjen e kuartalit të fundit të këtij viti”, ka shtuar ajo.
Ajo tha se bllokimi i rrugës “George Bush” për ta shndërruar në shesh, ka ndodhur pa asnjë konsultim paraprak në Kuvendin Komunal.
“Kryetari i Komunës me idetë e tij për “Prishtinën e Përjetimeve” kanë sjellë kaos nëpër rrugët e kryeqytetit, pa krijuar kurrfarë zgjidhjeje alternative dhe informacionin e nevojshëm përcjellës. Zgjerimi i shesheve të qytetit duhet të shoqërohet edhe me debat e sidomos me krijimin e hapësirave alternative që nuk e pengojnë qarkullimin edhe ashtu të rënduar në Prishtinë, përcjellë me instruksionet e nevojshme”, ka shkuar Statovci.
Statovci madje tha se me ardhjen në pushtet, filloi me veprimet për të kapur kompanitë publike dhe për t’i instaluar aty përfaqësues politikë.
“Jo shumë kohë më parë, ish-këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, u emërua kryeshef i ‘Prishtina Parking’. Së fundi edhe një ish-kandidat për Asamble në Kuvendin Komunal të Prishtinës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është emri më i ri në kuadër të emërimeve mbi baza partiake. Anëtar i LDK -së, së fundmi është emëruar kryeshef ekzekutiv të NPL “Sport Marketing” SH.A, ngjashëm kishim dhe situatën me kryeshefin e Termokosit”.
Ajo shtoi se ka mungesë të implementimit të planit për legalizimin e ndërtimeve si dhe ka vonesa në zgjidhje për transportin.
“Kemi vonesa të pajustifikueshme në avancimin e dy projekteve madhore, ndërtim i Unazës se Madhe dhe Rrugës A. Eksperimentet dhe testimet q 137 po bëhen nga udhëheqja komunale pa projekte të reja alternative po krijojnë kaos të panevojshëm. Është urgjente të konsiderohet ndërtimi i dy rrugëve nëntokësore që do lidhnin mes vete rrugën Agim Ramadani dhe Luan Haradinaj”, ka përfunduar ajo.