Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se raporti i Josep Borell për masat ndaj Kosovës ende s’është dorëzuar tek përfaqësuesit e shteteve anëtare dhe se BE-ja ende se ka caktuar datën e saktë se kur do të ndodh një gjë e tillë.
Stano ka thënë se raporti është në fazën e finalizimit dhe se së shpejti do t’iu paraqitet shteteve anëtare në Këshill.
“Raporti nuk është dorëzuar ende dhe nuk e kemi shpallur datën e saktë se kur do të bëhet. Është në fazën e finalizimit dhe së shpejti do t’u paraqitet vendeve anëtare në Këshill”, ka thënë Stano për KoSSev.
Stano ka shtuar se BE e ka bërë të qartë në konkluzionet e 12 dhjetorit se ka gatishmëri për heqje masash nëse Kosova i plotëson kushtet.
“Në konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme rikujtoi se BE-ja është e gatshme të heqë masat në lidhje me Kosovën në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023. Këshilli ftoi përfaqësuesi i lartë i Borellit të prezantojë një raport për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Kosova”, ka shtuar Stano./Express/