Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano theksoi se menjëherë duhet të ndodhë de-përshkallëzimi i situatës.
Stano tha se i dërguari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak po viziton Kosovën për të gjetur përfundimisht rrugën e shtensionimit të situatës dhe të ketë kthim të bisedimeve për normalizim në kuadër të dialogut.
Në konferencë për media, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano tha se Lajçak në vazhdimësi po udhëton në rajon edhe në kuadër të frymës së diskutimeve të Këshillit Evropian.
“Përfaqësuesi i Lartë, Borrell i ka kërkuar Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak që të udhëtojë si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd për t’i çuar çështjet përpara për të gjetur përfundimisht rrugën për të de-përshkallëzuar dhe të mos kemi përshkallëzim, të mos jemi dëshmitarë të tensioneve të vazhdueshme, por të de-përshkallëzojmë dhe në fund të kthehemi te bisedimet për normalizim në kuadër të dialogut”, ka thënë ai.
Sipas tij, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së u kanë bërë thirrje dy palëve për de-përshkallëzimin e situatës. Ai shtoi se aktualisht nuk janë krijuar kushte për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut.
Tutje, zëdhënësi i Bashkimit Evropian theksoi se fokusi duhet të jetë që menjëherë të depërshkallëzohet situata.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak gjatë pasdites do të takohet me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti./Express/