Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaku shpreson të zhvillojë një sezon pozitiv në kampionatin zvicerian. Në një intervistë për gazetën “Blick”, kapiteni i St. Gallen shprehet me nota optimizmi. “Jam në një gjendje shumë të mirë dhe tani dua të shikoj përpara. I kam vendosur vetes një objektiv për sezonin e ri por nuk dua ta bëj të ditur tani në fillim. Në mendjen time kam planifikuar gjithçka dhe dua të shkoj deri në fund në mënyrën më të mirë”, thekson sulmuesi 31-vjeçar i lindur në Gjilan. Bunjaku është aktivizuar 6 ndeshje me Kombëtaren e Zvicrës në periudhën 2009-2010 por me krijimin e Kombëtares së Kosovës ai zgjodhi të vishte fanellën e skuadrës së vendlindjes. Me Kosovën Bunjaku numëron 3 ndeshje dhe 2 gola të shënuar. Ai u bashkua me St. Gallen në vitin 2014 duke siguruar një vend titullari në këtë skuadër ku mban edhe shiritin e kapitenit.