Në kohën kur përkujtohet 27 vjetori i masakrës së Srebrenicës, pamjet që po qarkullojnë në mediat sociale, e bëjnë edhe më të prekshme tragjedinë e përjetuar prej boshnjakëve atëherë.
Pamjet e dhimbshme filmike, të shpërndara nga Qamil Gjurakovi, autori i librit “Srebrenica – një premtim i harruar”, tregojnë momentin kur mjekët e OKB-së kontrollojnë të dhënat jetësore të një foshnjeje, por shohin se fëmija ka vdekur dhe i kthejnë trupin prindërve të tij, të cilët shpërthejnë në të qara, e nuk gjejnë dot ngushëllim.
11 korrikun e vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë , një zonë e cila ishte shpallur e sigurtë nga Kombet e Bashkuara.
Në ditët që pasuan, ata ekzekutuan atje mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropat e pyjet përreth. Masakra ndodhi brenda pak ditësh, por procesi i gjetjes së trupave dhe identifikimi e varrimi i eshtrave, ende vazhdojnë.
Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Europë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si genocid./tch/