“S’pyesim Beogradin se çfarë të bëjmë” – Kosova, Kroacia dhe Shqipëria i përgjigjen Serbisë për aleancën tripalëshe

E publikuar: 20/03/2025 08:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri Kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq tha se  “ka kaluar koha kur Kroacia e pyeti Beogradin se çfarë lejohej dhe si duhet të bënte, dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë.”

Anushiq i është përgjigjur kështu Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila ka njoftuar se do të kërkojë shpjegim të detajuar nga ministritë e jashtme kroate dhe shqiptare për nënshkrimin e një memorandumi trepalësh për bashkëpunimin me Kosovën për çështjet e mbrojtjes.

“Ka kaluar koha kur Kroacia e ka pyetur Beogradin se çfarë i lejohej të bënte dhe si duhet ta bënte, dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë. Kemi 35 vjet që jemi shtet i pavarur, kemi kaluar pesë vite agresion dhe politikë që mbrojti një narrativë të tillë. Kroacia do të nënshkruajë deklarata me kë të dojë dhe bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën është i fokusuar në shkëmbimin e njohurive, bashkëpunimin ndërmjet industrive ushtarake, mbështetjen për rrugën euroatlantike të Shqipërisë dhe Kosovës…”, ka shkruar ai.

Gjatë ditës së djeshme, edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës e ka dënuar ashpër deklaratën e fundit të Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë.

Në një deklaratë të lëshuar për mediat të mërkurën mbrëma, MPJD theksoi se kjo deklaratë nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por gjithashtu përbën një shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënon ashpër deklaratën e fundit të Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë. Kjo deklaratë nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por gjithashtu përbën një shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit, të cilat Serbia ka pretenduar se i pranon, por ka refuzuar me qëllim t’i nënshkruajë—duke dëshmuar edhe një herë qëllimet e saj të këqija dhe mungesën e vullnetit për t’u angazhuar në një dialog të mirëfilltë. Duke bërë deklarata të tilla, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe për njohjen e institucioneve dhe kornizës ligjore të Kosovës si të vetmet autoritete të vlefshme brenda vendit tonë.”, thuhet në deklaratën e MPJD-së.

Sipas MPJD-së retorika e Serbisë është e mbushur me tone hegjemoniste, “pasi ajo përpiqet të paraqitet si fuqia dominuese në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar shpjegime nga Kroacia dhe Shqipëria—dy shtete sovrane, të dyja anëtare të NATO-s, me Kroacinë gjithashtu anëtare e Bashkimit Evropian”.