Sputniku Rus nxit Thaçin, Haradinajn dhe Veselin ta luftojnë Ambasadorin amerikan

E publikuar: 24/01/2018 19:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Media ruse “Sputnik” po vazhdon spekulimet për Kosovën, sidomos kur bëhet fjalë për çështje politike. Kjo media, për të cilën është bërë paralajmërim nga DASH se po bëjnë lajme të rreme, ka shkruar se ambasadori amerikan gjoja ka kërcënuar liderët kosovarë rreth Gjykatës Speciale, se ndaj tyre do të veprohet njëjtë siç u veprua ndaj Sllobodan Millosheviqit.

“Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, i ka kërcënuar në mënyrë indirekte udhëheqësit e republikës ballkanike se ndaj tyre do të veprohet njëjtë siç është vepruar dikur me Sllobodan Millosheviqin”, fillon shkrimin media ruse “Sputnik”, për të cilën Departamenti i Shtetit Amerikan ka paralajmëruar se po bëjnë lajme dhe raportime të rreme.

Në këtë shkrim të Sputnikut rus, ku thuhet se presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli mund të vendosen së shpejti në bankën e të akuzuarve të Gjykatës Speciale, u mor mendim edhe nga avokat serb Toma Fila për këtë çështje.

“Pastaj ata nuk do të heshtin më. Pastaj do të dalë në dritë se kush i dha urdhrat dhe kur”, citon Sputniku avokatin serb Fila.

Kjo media thotë se SHBA’ja ka dërguar tërthorazi mesazhin se liderët kosovarë mund ta pësojnë njëjtë si Sllobodan Millosheviqi, kështu duke tentuar të nxisë liderët kosovarë kundër ambasadorit amerikan, shkruan Express.

Për këtë medium edhe NATO pat paralajmëruar se janë “makinë propagandistike e Kremlinit”, e cila sipas tyre po bën shpërndarjen e artikujve të njëanshëm dhe “dezinformues” për të ndikuar në mendimin politik rreth botës./GazetaExpress/