Shpejtim Bulliqi nga e hëna është emëruar nga Kryeministri Ramush Haradinaj kryetar i Komisionit Shtetëror për Demarkacion. Profesori i gjeografisë, ka qenë nga kundërshtarët më të zëshëm të versionit të demarkimit të kufirit të vendit tonë me Malin e Zi.
Ish-deputeti i LDK’së, Shpejtim Bulliqi insistonte se Kosova humbte 8330 hektarë tokë, në marrëveshjen që shefi i tij i partisë Isa Mustafa, si kryeministër i vendit, më 2015 nënshkroi në Vjenë, me Malin e Zi për shënimin e vijës kufitare mes dy shteteve.
Kosova po i humb 8330 hektarë nga territori i saj”, kishte përsëritur disa herë Bulliqi në deklarimet e tij publike, ndërkohë që partia e tij provonte të çonte këtë marrëveshje për ratifikim në Kuvend, shkruan Gazeta Express.
Ish-deputeti i LDK’së gjatë asaj kohe gjithashtu insistonte se duhej të behej rishikimi i këtij versioni të demarkacionit, para se të ratifikohej në kuvend, që ishte hartuar nga komisioni që tash vetë Shpejtim Bulliqi do ta udhëheq, e që deri kryetar kishte Murat Mehen.
Por a do të arrijë që Bulliqi të dëshmojë se Kosova ka humbur hektarët që ai ka insistuar, madje duke dalë kundër partisë të cilës i takon, dhe duke përkrahur qëndrimet e opozitës së atëhershme VV-AAK-NISMA, për të mos u votuar marrëveshja për kufi me Malin e Zi.
“Rezultati nuk mund të jetë ndryshe. Opinioni publik le ta dëgjojë realitetin. Qytetarët e Pejës, Deçanit dhe Rugovës e dinë ku janë vijat kufitare”, thoshte Bulliqi në një intervistë televizive, në mars të vitit të kaluar, derisa pretendonte për humbjen e 8330 hektarëve.
Ndryshe, kryeministri i ri i vendit, Ramush Haradinaj në ditën e parë të punës si shef i ekzekutivit ka nxjerrë si vendim të parë shkarkimin e Murat Mehes dhe Komisionit Shtetëror për Demarkacion, duke emëruar Shpejtim Bulliqin në këtë funksion dhe hapur rrugë këtij të fundit që të përzgjedhë anëtaret e ri të komisionit. /GazetaExpress/.















