Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka kërkuar nga partitë politike në Kuvendin e Kosovës që në rishikimin e buxhetit të përfshihet edhe Transmetuesi Publik, të cilit në mënyrë joligjore i janë hequr mbi 2 milionë e 200 mijë euro, duke bërë kështu të pamundur funksionimin e tij. Sindikata, me anë të kësaj kërkese, ua bën me dije deputetëve të Kuvendit të Kosovës së punëtorët e RTK-së në muajin shtator nuk do të mund të marrin paga si pasojë e shkurtimit të buxhetit nga ana e ish-ministrit të Financave, transmeton Scanner.
“Për të mos ardhur në një situatë, e cila nuk do të na pëlqente si punëtorë të RTK-së, ju paralajmërojmë për herë të fundit se, nëse RTK-së me rishikim të buxhetit nuk i kthehet shuma prej 2.2 milionë eurosh, Mediumi Publik do të kolapsojë dhe detyrimisht paritë politike do t’i marrin të gjitha përgjegjësitë për të gjithë punëtorët e RTK-së dhe familjet e tyre. Ju rikujtojmë se çdo punonjës i RTK-së është në obligime kreditore ndaj bankave në Kosovë”, thuhet në reagimin e SPERTK.
Sindikata ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti, partneret e koalicionit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që në mënyrë urgjente të sigurojnë funksionimin normal të RTK-së, sidomos tash kur vendi ynë gjendet para momenteve të rëndësishme për qytetarët.
“Sindikata do të përdorë edhe protestat, nëse një gjë e tillë nuk realizohet nga ana e deputetëve, sepse po rrezikohet RTK-ja dhe mirëqenia e kolegëve tanë dhe familjeve të tyre”, përfundon reagimi i SPERTK.