Spektakël i Fiorentinës në “San Siro”, Interi “ko”

E publikuar: 28/09/2015 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fiorentina është kryesuesja e re e Serisë A. Skuadra e Paolo Sosës i dha një leksion Interit të Mancinit, që pësoi humbjen e parë pas pesë fitoreve radhazi duke u mposhtur 4-1 në “San Siro”, me Kalinic që ishte protagonisti absolut me 3 gola. Vetëm 22 minuta lojë i mjaftuan skuadrës nga Firence për të zgjidhur ndeshjen. Pas vetëm 4 minutash, Fiore kaloi përpara pas një 11-metërshi të shkaktuar nga Handanovic, që u shndërrua në gol nga bashkombasi i tij Ilicic.

15 minuta më pas ishte kroati Kalinic që dyfishoi shifrat sërish falë një pasigurie të portierit të Interit, ndërsa në të 23-tën po kroati mbylli përfundimisht ndeshjen. Kartoni i kuq i Mirandës në të 31-tën shuajti cdo shpresë, ndërsa goli i Icardit në të 61-tën nuk është se i erdhi shumë në ndihmë Interit, pasi Kalinic plotësoi mbrëmjen e tij perfekte me golin e 4-1, që i jep kreun ekipit të Sosas dhe ngre pikëpyetje të mëdha mbi Interin, që në këto javë të para dukej i pathyeshëm.