Specialja tregon arsyet e qëndrimit të Hysni Gucatit në Kosovë

E publikuar: 16/09/2022 16:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konfirmuar për Gazetën Express se ish-kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ndodhet në Kosovë.

Gucati ka udhëtuar për vendlindje për të takuar familjen e ngushtë dhe vizita e tij është lejuar përshkak të arsyeve humanitare.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Kolegji i Apelit ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për Hysni Gucatin për të takuar familjen e ngushtë. Hysni Gucati mbetet në paraburgim dhe në paraburgim të Dhomës së Specializuar. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, kanë deklaruar nga Specialja.

Gucati në korrik të këtij viti ishte lejuar të udhëtonte në Kosovë për të vizituar nënën e tij në Qendren Klinike Universitare.

Në muajin maj, Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

Sipas këtij vendimi, më 17 qershor 2022, të akuzuarit kanë paraqitur njoftimet e tyre për apel.