Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në mbledhjen e së premtes (sot) do t’i riprocedojë në Kuvend amendamentet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të zhvillojë të premten mbledhjen e rregullt. Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar do t’i shqyrtojë dhe riprocedojë në Kuvendin e Kosovës propozim-amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me formimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara”, thuhet në një njoftim të ekzekutivit të vendit.
“Riprocedimi në Kuvend, si dhe miratimi i këtyre amendamenteve kushtetuese nga ana e Kuvendit, është një hap me rëndësi të posaçme për Republikën e Kosovës në procesin e përmbushjes së obligimeve që shteti i Kosovës ka marrë ndaj partnerëve ndërkombëtarë me rastin e aprovimit në Kuvend, me dy të tretat e votave të deputetëve, të letërkëmbimit të presidentes Jahjaga me Baroneshën Ashton, vitin e kaluar”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Në këtë komunikatë, po ashtu, thuhet se përmbushja e obligimeve ndërkombëtare nga ana e Republikës së Kosovës në këtë drejtim, në asnjë mënyrë nuk e konteston luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk do të cenojë vlerat e luftës së popullit të Kosovës.
“Përmbushja e këtij obligimi nga institucionet e Kosovës do të jetë në shërbim të zbardhjes së drejtësisë për dyshimet individuale që mund të lidhen me këtë proces dhe do të jetë një hap i rëndësisë së posaçme për proceset integruese euroatlantike, si dhe në shërbim të plotë të fuqizimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian”, përfundon komunikata.