Për më shumë se një muaj, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka pasur kohë që t’i bindë deputetët e partisë së tij që të votojnë PRO themelimit të Gjykatës Speciale. Por, ende nuk është e qartë nëse ia ka arritur qëllimit.
Deputetja e partisë së tij, e që vjen po ashtu nga rajoni i tij, Drenica, Ganimete Musliu, vazhdon ta kundërshtojë fuqishëm Gjykatën Speciale. Ajo ka thënë se do të votojë gjithmonë kundër, madje edhe nëse kjo i kushton me largim nga posti i deputetes apo nga partia e saj.
Deputetët e tjerë të PDK-së që votuan kundër themelimit të kësaj Gjykate, më 26 qershor, të kontaktuar nga KTV-ja, nuk kanë treguar qartë nëse kanë ndërruar mendje. Por, deputeti nga Prizreni, Nezir Çoçaj, ka thënë shkurt se me shumë gjasë do të votojë për themelim të Speciales.
Xhevahire Izmaku dhe Blerta Deliu-Kodra, votat e tyre i kanë lënë si befasi për të hënën. E pavendosur është edhe Flora Brovina, e cila herën e parë abstenoi. Kurse, Bekim Haxhiu ka pohuar se nuk mund të japë ndonjë përgjigje të saktë se si do të votojë.
Fadil Demaku dhe Nait Hasani nuk ka ndërruar qëndrim, derisa kontakti me deputetët Raif Qelën, Rafet Ramën dhe Nuredin Lushtakun ka qenë i pamundur.
Deputetë të PDK-së po ashtu kanë treguar se si përfaqësuesit e ambasadave u kanë sugjeruar që të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale, transmeton Koha.net.
Se çfarë do të ndodhë, mbetet të shihet të hënën në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilët pritet të votohet Gjykata Speciale.