Gjykata Speciale në Hagë është në krizë.
Zëvendëskryetari dhe gjykatësi i lartë i Dhomave të Specializuara Keith Raynor ka dhënë dorëheqje nga puna e tij në këtë gjykatë, shkruan lajmi.net.
Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate në uebfaqen zyrtare të Gjykatës Speciale ku thuhet se Raynor do të vazhdojë punën e tij në Britaninë e Madhe.
“Më 19 mars, 2020, Gjykatësi Keith Raynor paraqiti presidentës Ekaterina Trendafilova dorëheqjen e tij nga posti i Gjykatësit në Listën e Gjyqtarëve Ndërkombëtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Gjykatës Speciale. Gjykatësi Raynor synon t’i kushtojë kohën e tij punës së tij si gjykatës në Mbretësinë e Bashkuar për shkak të krizës globale shëndetësore. Presidentja Ekerina Trendafilova shprehu vlerëzimin e saj për kontributin e Raynor në punën e Gjykatës Speciale dhe i uroi të gjitha të mirat në përpjekjet e tij.”, thuhet në komunikatë.
Gjykata Speciale ishte themeluar pas publikimit të një raporti nga senatori zviceran, Dick Marty, i cili kishte shkruar se gjatë luftës në Kosovë janë kryer krime dhe është bërë trafikim me organe nga luftëtarët vendas.
Deri tash janë rreth 250 ish-luftëtarë të UÇK-së që janë ftuar në cilësi të ndryshme për të dhënë përgjigje e duke heshtur para prokurorëve të Speciales lidhur me pretendimet për krime lufte të kryera gjatë dhe pas luftës. Udhëheqësit kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së janë ftuar nga Specialja përfshirë Ramush Haradinajn, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Rrustem Mustafa, Sami Lushtakun, Sylejman Selimin, Kadri Veselin, Shukri Bujën, Sokol Bashotën, Sokol Dobrunën.
Në anën tjetër, Gjykata Speciale do të jetë në Kuvendin e Kosovës temë edhe gjatë këtij viti, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojë pro ose kundër vazhdimit të mandatit të punës së saj.
Lajmi.net javë më parë ka diskutuar me avokatin e akredituar nga Specialja, Teki Bokshi i cili ka thënë se është e mundur juridikisht të ndodhë shfuqizimi i Gjykatës Speciale.
“Mund të ndërrohet ligji krejtësisht sepse parlamenti i Kosovës e ka sjellur atë ligj. Megjithëse sa ka fuqi dhe mundësi politike të ndodh, mirëpo atë ligj që e ka sjellur Kosova në çdo moment teorikisht mund të ndryshohet, të revokohet shfuqizohet”, tha Bokshi për lajmi.net.
Më tutje, Bokshi është shprehur se me shumicën e dyfishtë që nënkupton edhe 2/3 e pakicave, mund të ndryshohet ligji dhe të mos i vazhdohet mandati Gjykatës Speciale.
“Juridikisht ka mundësi edhe me iu vazhdu mandati edhe me u tërhekë krejt ligji. Këta munden si çdo ligj tjetër, duhet të ndryshohet edhe Kushtetuta, duhet të jetë me shumicën e dyfishtë”, tha Bokshi për lajmi.net.
Gjithashtu, presidenti Thaçi në një letër drejtuar sekretarit amerikan të shtetit, Michael Richard Pompeo kohë më parë i ka kërkuar atij që kjo gjykatë të mos jetë një-etnike.
“Është zhgënjyes fakti që Zyra e Prokurorit Special ka dedikuar burimet e veta të shumta për ta hetuar vetëm një grup etnik, pra vetëm kundër shqiptarëve të Kosovës, gjë që dëmton në themel kredibilitetin dhe legjitimitetin e procesit”, ka shkruar Thaçi në letrën dërguar Pompeos.
Sa i përket kësaj Gjykate, më të pakënaqurit dhe më të zëshmit janë Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj javë më parë për lajmi.net ka zbuluar se kanë kontaktuar ekspertë amerikanë që t’iu ndihmojnë në shfuqizimin e kësaj gjykate, për të cilën kanë kërkuar edhe ndihmën e institucioneve të Kosovës.
“OVL e UÇK-së ka marrë një iniciativë para disa ditësh. Kemi ftuar disa kongresistë amerikanë, disa këshilltarë të lartë të Jurisprudencës amerikane, disa prej tyre drejtorë të Agjencionit të Inteligjencës Amerikane që tani janë këshilltarë të drejtësisë, disa avokatë të zotë që ju kemi kërkuar ndihmë të na ndihmojnë sepse po bëhet fushatë e egër ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”, tha Haradinaj.
Haradinaj më tutje është shprehur se pret nga ekspertët amerikanë që të ndihmojnë në shfuqizimin e Gjykatës që ai e konsideron si raciste dhe të një-anëshme.
“Shpresojmë që së shpejti do të na përgjigjen. Ne nuk kemi mjete financiare por kemi kontaktuar edhe me komunitetin amerikan, shqiptarë dhe na kanë premtuar që nëse ata pranojnë me ardhë do t’ua heqin shpenzimet e udhëtimit dhe të tjera dhe ne së shpejti do të thërrasim konferencë rreth këtij procesi që të bëhet ose anulimi ose futja e ndonjë akti nënligjor në këtë gjykatë që të shikohen të gjithë”, tha Haradinaj për lajmi.net.
Krejt në fund, Haradinaj është shprehur se beson tek ekspertët amerikanë, njëlloj siç ata sipas tij besojnë se OVL e UÇK-së ka të drejtë në raport me Gjykatën Speciale.
“Caku ynë është që në këtë formë të zhbëhet si Gjykatë me njerëz të zotë që janë ekspertë amerikanë. Do të kemi njerëz që kanë qenë në krye të inteligjencës amerikane dhe tani janë këshilltar dhe besojmë që do të na ndihmojnë dhe ata besojnë se kemi të drejtë si OVL e UÇK-së. Besoj që së shpejti do të na përgjigjen”, tha Haradinaj.