Specialja: Mbajmë përgjegjës vetëm individët, dhe jo grupet etnike, organizatat apo komunitetet

E publikuar: 03/04/2025 20:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësit e Gjykatës Speciale, Michael Doyle dhe Angela Griep, mbajtën sot një konferencë për media për gazetarët nga Kosova, ku diskutuan mbi procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, një çështje që ka ngjallur kritika të shumta në Kosovë.

Në deklaratat e tyre, ata theksuan se Gjykata është e themeluar në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe se legjitimiteti i saj buron pikërisht nga kjo Kushtetutë.

“Gjykata është themeluar në bazë të Kushtetutës së Kosovës, e cila doli nga një marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën. Pyetja rreth legjitimitetit të Gjykatës gjen përgjigje në Kushtetutën e Kosovës,” thanë ata.

Zëdhënësit shtuan se synimi i Gjykatës Speciale është të sigurojë një proces të drejtë dhe të pavarur për të akuzuarit, të mbrojë dëshmitarët dhe të garantojë të drejtat dhe dinjitetin e viktimave.

Ata rikujtuan se kjo Gjykatë merret vetëm me përgjegjësi penale individuale, duke mbajtur përgjegjës “vetëm individët për krimet me të cilat ngarkohen në aktakuzë” dhe jo “grupet etnike, organizatat apo komunitetet”.

Gjatë konferencës u përmend edhe ankesa e mbrojtjes së Hashim Thaçit lidhur me pyetjet e gjyqtarëve ndaj dëshmitarëve dhe reagimin e trupës gjykuese ndaj kësaj ankese.

“Gjyqtarët rikujtuan se, në bazë të Rregullores së Punës dhe provave, atyre u lejohet, madje u kërkohet, të bëjnë pyetje, pasi që është detyrë e tyre të përcaktojnë të vërtetën. Kufizimi i aftësisë së tyre për të bërë pyetje do të ndërhynte në rolin e tyre si një gjetës neutral i fakteve,” thanë zëdhënësit.

Procesi gjyqësor në Hagë vazhdon të jetë një nga çështjet më të ndjeshme dhe të debatuara në Kosovë, duke nxitur reagime të forta nga qytetarët dhe opinioni publik.