Më 5 nëntor 2022 bëhen dy vjet që nga koha kur Gjykata Speciale i arrestoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. E do të bëhen gati 2 vjet e gjysmë, kur të fillojë edhe zyrtarisht gjykimi në rastin që po quhet rasti ndaj katërshes së madhe të UÇK-së.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Dhomat e Specializuara të Hagës kanë konfirmuar se gjykimi mund të fillojë në tre muajt e parë të vitit 2023. Kjo, sipas tyre, varet varësisht nga koha kur dosja e lëndës kalon te trupi gjykues.
“Ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar afate të caktuara për t’u siguruar që të gjitha palët të përgatiten shpejt për gjykim, deri më tani ai nuk ka caktuar një datë të saktë se kur synon t’ia kalojë dosjen e lëndës trupit gjykues. Vetëm pasi ta bëjë këtë do të dimë saktësisht se kur mund të fillojë gjyqi”, thuhet fillimisht në përgjigje.
“Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake ka theksuar në një vendim publik se ai ka parashikuar që dosja e lëndës mund të jetë gati për t’iu transmetuar trupit gjykues deri në fund të vitit që do të thotë se gjykimi mund të fillojë gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm”, thuhet më tutje në përgjigjen e Gjykatës Speciale për gazetën Nacionale.
Dhomat e Specializuara të Hagës kanë mohuar se procedura gjyqësore ndaj Jakup Krasniqit mund të ndahet, edhe pse kështu u raportua në disa medie vendëse kohë më parë.
“Sa i përket pyetjes suaj të dytë, nuk ka indikacione se procedurat në rastin Thaçi et al mund të jenë të ndara”, përfundon përgjigjja e Gjykatës Speciale për gazetën Nacionale.
Se gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së mund të fillojë në tre muajt e parë të vitit 2023, kishte thënë edhe kryetarja e Gjykatës Speciale gjatë vizitës në Kosovë.
Avokatët kërkojnë procedura të shpejta
Avokatët kosovarë, që janë licensuar nga Gjykata Speciale, kanë theksuar se gjykimi në këtë rast duhet të fillojë, madje se është vonuar.
Avokati Artan Qerkini, në një përgjigje për gazetën Nacionale, ka thënë se pavarësisht nga nisja e gjykimit në këtë afat, procesi ka pasur probleme.
“Në dy vitet e arrestimit të krerëve të UÇK-së, kemi qenë dëshmitarë të zvarritjes së procesit si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve ligjore të Prokurorisë brenda afateve të arsyeshme. Po ashtu, mendoj se mbajtja në paraburgim e tyre është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut. Është vërejtur edhe moszbatimi i një prej parimeve kryesore të procedurës penale, parimi i gjuhës. Shumica e vendimeve gjyqësore të akuzuarve u janë dorëzuar në gjuhën angleze, e është dashur që ato të dorëzohen edhe në gjuhën shqipe”, ka thënë Artan Qerkini për gazetën Nacionale.
Avokati tjetër i licensuar nga Gjykata Speciale, Skënder Musa, ka vlerësuar se gjykimi nuk mund të vonohet më tutje. Megjithatë, sipas tij, procedurat mund të zgjasin shumë.
“Duke u bazuar në prova të dëshmitarëve, mund të zgjasë shumë, pasi ka shumë dëshmitarë dhe shumë prova materiale që duhet të shqyrtohen. Për këtë arsye mund të zgjatet shumë gjykimi. Këta kanë deklaruar se procesi mund të fillojë në fillimin e vitit të ardhshëm. Në mars fillon gjykimi dhe merr një epilog sa u takon dëshmitarëve dhe provave. Duhet të përcaktohet se cilët dëshmitarë dëgjohen në fillim, cilët më vonë, provat materiale, është numër i madh i tyre. Procesi mund të zgjatet, mirëpo është e domosdoshme që me fillu në fillimin e vitit të ardhshëm”, ka thënë Musa për Nacionalen.
Musa ka theksuar se ka pasur neglizhencë të madhe nga ana e Prokurorisë.
“Nuk besoj se vonohet më shumë, hetimet kanë filluar shumë më herët. Ka pasur neglizhencë nga ana e Prokurorisë, dhe tashmë këta i kanë definuar rrugët që do t’i ndjekin për gjykim. Gjykimi fillon në fillimin e vitit 2023, dhe çdo shtyrje pas marsit është në dëm të të akuzuarve, pasi janë në paraburgim. Pas nisjes së gjykimit, gjykata mund ta shohë mundësinë e lirimit prej paraburgimit sikur Gjykata e Hagës, edhe pse nuk është e sigurt që kjo gjykatë vepron njëjtë, pasi ata janë treguar më të shpejtë në vendosje dhe në shqyrtim të provave”, deklaroi Musa për gazetën Nacionale.
Vonesat në procedura i patën kritikuar edhe avokatët ndërkombëtarë në disa intervista për gazetën Nacionale, të publikuara më parë.
Ditë më parë, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, erdhi në Kosovë. Megjithatë, ajo e anuloi vizitën në Gjilan për shkak të protestave që u paralajmëruan.
Megjithatë, ajo zhvilloi takime me ministren e Drejtësisë e përfaqësues të shoqërisë civile.