“Camp Nou” do të jetë skena ku do të luhet shfaqja e 229 e El Clasicos, mes Barcelones dhe Realit të Madridit.
Në botën e futbollit nuk ka asnjë ndeshje të ngjashme me El Clasicon. Dy gjigandët e La Ligas, do të rikthehen sërish këtë të Dielë në fushë, për një përballje direkte për titullin. “Camp Nou” do të jetë skena ku do të luhet shfaqja e 229 e El Clasicos, mes Barcelones dhe Realit të Madridit, në një 90 minutësh që mund të jetë përcaktues për fatin e trofeut të Primeras. Në sfidën e parë Reali i Madridit fitoi 3-1, dhe në atë periudhë ashtu si në të tashmen, Barcelona qëndronte përpara në renditje, përpara se El Clasico të ndryshonte balancat në krye.
Por 2015 riktheu sërish në vendin e parë katalanasit, falë dhe hapave fals të Realit të Madridit, që është vënë nën shënjestrën e kritikave nga tifozët për paraqitjet e javëve të fundit. As fitorja me Levanten 2-0 nuk i “qepi” dot marrëdhëniet mes fansave dhe klubit, por El Clasico mund të jetë ndeshja e duhur, që Los Blancos t’i zbardhin faqen mbështetësve të tyre.
Ramos:
“Skuadra mund të bëjë akoma më mirë. Tifozët kanë qenë gjithmonë dashamirës me ne. Unë jam këtu prej 10 vjetësh dhe pavarësisht ndonjë kritike në “Cibeles” kemi patur gjithmonë 1 milion persona duke na përshëndetur. Tifozeria nuk është një problem për ne!”
Nëse Reali është nën presion në prag të këtij “El Clasico” te Barcelona situata shfaqet tërësisht ndryshe, me blaugranat që kanë fituar 6 ndeshje e fundit në të gjitha kompeticionet. Messi ka qenë njeriu plus në fushë për Barcën, teksa i vetëm në 2015-tën ka shënuar katër gola më tepër sesa Ronaldo, Benzema e Bale të marrë së bashku.
Pas El Clasicos së parë, blaugranat ishin në pozitat aktuale të Realit teksa kritikoheshin si për lojën gjithashtu dhe për rezultatet, por situate tashmë është krejtësisht e ndryshme dhe kjo ndeshje mund t’i sigurojë “arratisjen” në krye Barcelonës drejt titullit kampion. Luis Enrique do të ketë të gatshëm për këtë përbaljle Dani Alves dhe Jordi Alba që rikthehen pas skualifikimit, ndërsa do të mungojë Busquets për probleme fizike. Në krahun tjetër Carlo Ancelotti i ka të gjithë në dispozicion, përjashto James Rodriguez, ndërsa janë të gatshëm Modric e Ramos. 500 milion spektatorë në mbarë botën pritet të përcjellin nëpërmjet televizorit El Clasicon, numër 299 që mund të rezultojë dhe finalja e titullit. /supersport.al/