Spanja me nismë për të mbledhur ministrat e rajonit në fund të tetorit, a do të ftohet Kosova?

E publikuar: 01/09/2023 12:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, në një konferencë për media gjatë ditës së djeshme ka konfirmuar se më 14 shtator do të pres në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic, shkruan Gazeta Express

Përveç kësaj, Borell ka treguar edhe për një iniciativë të Presidencës Spanjolle që kryeson me BE-në, për të mbajtur një takim në nivel ministrash bashkë me ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Siç ka treguar diplomati spanjoll, ky takim do të mbahet në fund të tetorit, pas ngjarjeve të tjera që ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor, siç është Procesi i Berlinit, Samiti i të cilit do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.

Borell e ka vlerësuar këtë si nismë të mirë, duke thënë se është e rëndësishme që ministrat të bëjnë një kalkulim për atë që po ndodh në Ballkanin Perëndimor.

“Së pari, në Ballkanin Perëndimor. Presidenca spanjolle po propozon – dhe mendoj se është një propozim i mirë – të mbahet një takim ministror së bashku me ministrat e Ballkanit Perëndimor. Ne do ta bëjmë atë në fund të muajit të ardhshëm, së bashku me Presidencën spanjolle dhe pas ngjarjeve të tjera që lidhen me Ballkanin [Perëndimor], si Procesi i Berlinit. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ministrat, nën Presidencën spanjolle, të bëjnë një bilanc të asaj që po ndodh në Ballkanin [Perëndimor]”, ka thënë Borell, raporton Express.

Mbetet të shihet nëse Spanja do ta ftojë në këtë takim edhe Kosovën, duke qenë se shteti nga gadishulli Iberik është një nga pesë vendet e BE-së që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.