Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri (SPAK), të martën është sekuestruar një apartament i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Ish-ministri ndodhet në paraburgim që prej korrikut.
SPAK-u ka thënë se në kuadër të hetimeve ndaj tij është identifikuar një pasuri e paluajtshme, apartament banimi në Lungomare, në qytetin bregdetar të Vlorës.
Sipas Prokurorisë, në korrik të këtij viti është kryer një kontroll, ku janë siguruar të dhëna me interes për hetimin.
“Kjo pasuri, apo investimet e kryera për mobilimin e saj, nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga personi nën hetim Ilir Beqaj apo personat e lidhur me të.” – ka thënë Prokuroria.
Sipas hetimeve, në vitin 2016 apartamenti është blerë në vlerë të 67 mijë eurove nga një shtetas që rezulton të ketë lidhje me ish-ministrin.
Vlera e investuar shkon në 50 mijë euro.