SPAK kërkon rikthimin e Berishës në arrest shtëpie, vendos sot gjykata

E publikuar: 03/01/2025 11:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Apeli i GJKKO-së do të shqyrtojë sot ankimimin e SPAK, që kërkon rikthimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës nën masën “arrest shtëpie”. Mësohet se Apeli i Posaçëm do shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme në orën 10:00.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është liruar nga masa “arrest shtëpie” më 27 nëntor 2024. Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për Berishën. Ky vendim u mor nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Avokati i kreut të PD-së, Genc Gjokutaj deklaroi atë ditë se ndaj Berishës nuk është caktuar asnjë masë tjetër sigurie. Ai shtoi po atë ditë se Prokuroria kërkoi që Berisha të qëndronte në “arrest shtëpie”.

Më 30 dhjetor 2023 Gjykata e Posaçme njoftoi se e kishte vendosur masën arrest shtëpiak ndaj Berishës i cili është duke u hetuar së bashku me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi (aktualisht nën masën “arrest shtëpie”) për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.

Më herët, Sali Berisha ka refuzuar masat e dhëna nga SPAK, atë të detyrimit të paraqitjes dhe të ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar masat si antikushtetuese. Pas moszbatimit të këtyre masave, Struktura e Posaçme ashpërsoi masën e sigurisë për Berishën, duke e lënë në “arrest shtëpie”.

Gjykata e Posaçme urdhëroi Berishën të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.