SPAK ka kërkuar 3 vjet burg për Jurgis Çyrbjan, i cili akuzohet për “tregim i sekretit shtetërore në disa raste”, “përkrahje autorit të krimit disa herë”, “korrupsion ne zgjedhje në vitin 2021”.
3 vjet burg ka kërkuar Prokuroria e Posaçme edhe për Altin Hajrin, i cili akuzohet për “korrupsion në zgjedhje” dhe “përkrahje e autorit të krimit”.
Ndërsa për Ahmet Mashën SPAK ka kërkuar 2 vjet e 6 muaj burg për akuzën “tregim i sekretit shteteror” dhe “perkrahje e autorit të krimit”.
Hetimet e SPAK zbuluan se ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja ka dekonspiruar operacione policore dhe ka shpërndarë të dhëna nga sistemi TIMS, duke ndihmuar persona në kërkim që të shmangin arrestimin.
Në dosje theksohet lidhja e ngushtë mes Jurgis Çyrbes dhe të kërkuarit ndërkombëtarisht Altin Hajri, i njohur për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. SPAK pretendon se Çyrbja i ka premtuar Hajrit mbështetje në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve.
Altin Hajri, ende në kërkim, akuzohet gjithashtu për korrupsion zgjedhor, pasi dyshohet se i ka siguruar vota ish-deputetit socialist. Sipas hetimit, Çyrbja, Hajri dhe një tjetër person, Ahmet Masha, kanë bashkëpunuar në disa aktivitete kriminale, të dokumentuara përmes komunikimeve të interceptuara.
SPAK ka faktuar 8 episode kriminale, të ndodhura mes 1 majit 2020 dhe 8 marsit 2021, ku të dyshuarit janë vënë në dijeni të informacionit të ndaluar në sistemin TIMS dhe të dhënave sekrete të Policisë së Shtetit.
Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 tetor 2024, pak javë pasi kishte dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Ai ka shërbyer për dy legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë.

















