Spahiu: Kurti është duke e ‘luajtur lojën’ e minutës së fundit për çështjen e presidentit

E publikuar: 02/04/2026 23:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit po rrjedh, asnjë iniciativë nga Kurti për konsensus politik

Kanë kaluar më shumë se një javë nga vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila u ka dhënë deputetëve 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Sipas këtij vendimi, nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e kreut të shtetit, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, raporton IndeksOnline.

Pavarësisht presionit të afatit kushtetues, kryetari i Lëvizja Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk ka ndërmarrë ende hapa konkretë për të zhvilluar takime me liderët e partive opozitare në funksion të arritjes së një marrëveshjeje për emrin e presidentit.

Në anën tjetër, partitë opozitare, PDK, LDK e AAK, janë shprehur të gatshme për dialog dhe për gjetjen e një kandidati konsensual.

Megjithatë, sipas tyre, deri më tani ka munguar një ftesë zyrtare nga partia në pushtet për të nisur këto diskutime.

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Nexhmedin Spahiu vlerëson se Albin Kurti po e pret minutën e fundit për të lëvizur në rastin e presidentit.

Sipas tij, në këtë mënyrë Kurti po synon të përfitojë nga presioni i minutës së fundit.

“Kurti është duke e luajtur lojën e minutës së fundit, pra janë lëvizje politike dhe ai po e bën atë’, ka thënë Spahiu për IndeksOnline.

Ndërkohë, mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, pritet të përfundojë brenda dy ditësh.. Nëse deri më 4 prill nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi rrezikon të hyjë në një fazë tranzitore, ku detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit do ta marrë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Nga afati prej 34 ditësh tashmë kanë mbetur edhe 25 ditë, duke e rritur presionin mbi spektrin politik për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme, raporon IndekOnine.

Zgjedhja e presidentit kërkon votat e të paktën dy të tretave të deputetëve në raundet e para, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë prej 61 votash, një proces që e bën të domosdoshëm bashkëpunimin ndërpartiak.

Nëse nuk arrihet konsensus brenda afatit kushtetues, atëherë sipas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi do të shpërndahet dhe vendi do të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.