Lansimi me sukses i raketës Falcon 9 nga SpaceX, shënoi rekord duke dërguar sasinë më të madhe ndonjëherë nga ndonjë qendër e Shteteve të Bashkuara – 64 satelitë të vegjël, në të njëjtën kohë.
Me këtë rast, kompania e kryesuar nga Elon Musk, arriti edhe një nivel tjetër, pasi imitoi sistemin e punës së aeroplanëve, që shfrytëzohen disa herë: për nisjen e raketës, e shfrytëzoi të njëjtin ndezës të ricikluar, për të tretën herë, transmeton Telegrafi.
Kompania me bazë në Kaliforni, ka kthyer 30 ndezës të tillë prej hapësirës, që shfrytëzohen për fazën fillestare të ndezjes së raketës, për t’i shfrytëzuar në projektet tjera pasuese.
Në të kaluarën, kompanitë kanë humbur miliona para, duke lejuar që thjeshtë pjesët e raketave të bien nëpër oqeane sikur mbeturina. Lansimi që është bërë së fundmi, ishte po aq i përsosur sa edhe nisjet tjera.
Falcon 9 është nisur nga Vandenberg Air Force Base në orët e paradites, kaloi nëpër pjesën perëndimore të Paqësorit, para se të përfundonte në hapësirë.
Raketa ishte paraparë të lansohej më 19 nëntor, por iu nevojitën edhe disa inspektime. Shtyrja tjetër u bë për një ditë, si pasojë e motit të keq.
Disa minuta pas nisjes, pjesa më e madhe e raketës – e njohur si faza e parë – u shkëput prej pjesës së dytë. Pamjet që janë marrë nga larg dhe prej brendësisë së ndezëses, tregojnë nisjen e kontrolluar për në largësi.
Pjesa e dytë ha hyrë thellë në hapësirë, për të lëshuar 15 mikro-satelitë dhe 49 CubaSats, që u përkasin 34 klientëve të ndryshëm publikë, privat dhe 17 burimeve universitare nga shtete të ndryshme si Koreja e Jugut, Franca dhe Kazakistani.
Ky lansim është drejtuar dhe monitoruar nga kompania Spaceflight, e specializuar në vendosjen e shumë satelitëve në një raketë dhe në shpërndarjen e tyre.
Mikro-satelitët nuk peshojnë më shumë se disa kilogramë, teksa CubaSats janë edhe më të lehtë. Këta satelitë, do të vendosen në hapësirat e duhura të orbitës, brenda disa orëve. /Telegrafi/