Sot në Saraj të Maqedonisë do të vendoset përmendorja e heroit shqiptar Isa Boletini, ndërsa do të lëshohet në përdorim rikonstruimi i sheshit aktual të emëruar tashmë si “Sheshi i Flamurit”.
Këtë e bëri të ditur kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati i cili tha se për këtë projekt janë ndarë 18 milionë denarë nga komuna. Përmendorja e Isa Boletinit është donacion nga shoqata “Vatra” e Dërvenit, ndërsa u punua në Shqipëri nga skulptori Idriz Balani.
Kryetari Murati kohë më parë deklaroi se ndjehet krenar që heroi kombëtar do të vendoset edhe në Saraj.
“Bëhet fjalë për rikonstruimin e sheshit aktual, ku parashihet të vendosen përveç shtatores së Isa Boletinit, të vendoset edhe e ashtuquajtura kulla tradicionale shqiptare, e cila sipër do të ketë simbolin tonë kombëtar, plisin. Bëhet fjalë për rikonstruimin e sheshit aktual, ku parashihet të vendosen përveç shtatores së Isa Boletinit, të vendoset edhe e ashtuquajtura kulla tradicionale shqiptare, e cila sipër do të ketë simbolin tonë kombëtar, plisin. Kostoja e përgjithshme e rikonstruimit të sheshit arrin vlerën diku rreth 18 milion denarë”, deklaroi Murati.
Kohë më parë për shtatoren e Isa Boletinit në Saraj ka folur edhe Gazmend Boletini, stërnip i Isa Boletinit që thotë se ndjehet shumë i lumtur që pas Kosovës e Shqipërisë më në fund edhe në Maqedoni po vendoset busti i stërgjyshit të tij.
“Unë besoj që ardhja e Isa Boletinit e përhershme në Saraj do të reflekton pozitivisht për shqiptarët. Për atë nderoj jetë për bashkimin kombëtar. Kjo përmendore mendoj se është punuar edhe në Isniq me rastin e 100 vjetorit të Shqipërisë, të njëjtën kopje e kemi bërë edhe në Mitrovicë , dhe po e njëjta do të jetë në Saraj. Është një punë e bukur që e kemi pëlqyer ne si familjarë”, tha Gazmend Boletini.