Ish-ambasadori dhe ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha ka vdekur të enjten e 2 janarit në moshën 58 vjeçare.
Ai vdiq pas një sëmundje të shkurtër, njoftuan familjarët. Ata bënë të ditur se gjatë ditës së sotme, do të mbahen homazhe ora 09:00 deri në orën 12:00, në Kishën Katolike “Shën Katarina” në Pejë.
Ndërsa, varrimi do të bëhet orën 13:00, në varrezat katolike në Pejë.
Berisha për një kohë të gjatë ka qenë i përfshirë në organizime sociale, politike e kulturore, duke përfshirë lëvizjen kombëtare të viteve ’90, me misione specifike diplomatike të autorizuara nga presidenti Ibrahim Rugova. Ai ka qenë në gjeneratën e parë të ambasadorëve të karrierës i emëruar në vitin 2009.
Ai ka shërbyer si ambasadori i parë i Kosovës në Slloveni.
Më pas, ai ka shërbyer në disa pozita të tjera diplomatike si zëvendësministër i Punëve të Jashtme, këshilltar diplomatik i kryeministrit dhe si person diplomatik kontaktues në Selinë e Shenjtë.
Berisha ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku ka punuar me fokus në sektorin e punëve të Jashtme dhe integrimeve evropiane.
LEXO EDHE:
Kush ishte Anton Berisha, ish-diplomati dhe ish-politikani që vdiq sot në moshën 58-vjeçare