Sot Biden bisedoi në telefon me Presidentin ukrainas Zelensky

E publikuar: 13/02/2022 19:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka biseduar për një orë rresht, sot, me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Kështu thanë burime të Shtëpisë së Bardhë për CNN, në mes të paralajmërimeve të SHBA-së se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën brenda javës së ardhshme.

Biseda me Zelensky, vjen një ditë pasi Biden e paralajmëroi presidentin rus Vladimir Putin, gjatë një telefonate se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të përgjigjen “në mënyrë të vendosur dhe do të imponojnë kosto të shpejta dhe të rënda” ndaj Rusisë nëse Putin vendos të pushtojë Ukrainën.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Biden, Jake Sullivan, dha një paralajmërim të ashpër duke thënë se Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia mund të nisë një pushtim të Ukrainës këtë javë, por ende shpreson që diplomacia të mbizotërojë.

Që nga dita e shtunë, SHBA ka zhvendosur disa nga forcat e saj nga Ukraina dhe urdhëroi evakuimin e pjesës më të madhe të stafit të ambasadës së saj të shtunën, pasi frika nisi të shtohej për një pushtim të mundshëm rus, shkruan CNN.