Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se është mbyllur përkohësisht për aplikim Thirrja Publike për Subvencionim të Efiçiencës së Energjisë për qytetarët, për shkak të numrit të madh të aplikimeve dhe shterimit të buxhetit të ndarë.
“Thirrja Publike për Subvencionim të Efiçiencës së Energjisë për qytetarët, e hapur me datën 06.10.2022 sot është mbyllur përkohësisht për aplikim pasi që numri i aplikimeve ka shteruar buxhetin e paraparë për këtë thirrje. Ky kalkulim është bërë duke u bazuar në kriterin që secili subvencion do të jetë me çmimin maksimal të lejuar, ndërsa thirrja do të rihapet me mjetet e mbetura pasi të shqyrtohen aplikimet e para nga Komisioni Vlerësues për shqyrtimin e aplikacioneve për subvencionim”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, numri i aplikuesve deri në momentin e mbylljes së thirrjes, ka qenë 5992.
“Në kuadër të Thirrjes Publike për subvencionim të Efiçiencës së Energjisë për qytetarët ju njoftojmë se numri total i aplikuesve për fazën e parë është: Numri total i aplikuesve 5992”, thuhet tutje.
Në njoftim bëhet e ditur se për pompë Termike kanë qenë 1313 aplikues, për nverterë 2656 aplikues, për kalda me biomasë 816 aplikues dhe për stufa me biomasë 1207 aplikues.
“Numri i aplikuesve të cilët janë në kategorinë e mbështetjes së skemës të asistencës social është 275. Theksojmë se deri më tani numri total i aplikuesve për fazën e dytë është 218. Ndërsa shifra e arritur nga aplikimet është 6,000,020.00 euro”, thuhet në fund.