Trajneri i Partizanit Adolfo Sormani e pranon se diferencat mes Ferencvaroshit dhe Partizanit janë të mëdha në shumë aspekte, sidomos përsa u përket financiave por kjo nuk do të thotë se të kuqtë nuk kanë shanse për t’u kualifikuar. Ai kërkon impenjim maksimal nga futbollistët e tij në sfidën e Elbasan Arenës, që në fund të fitojnë duartrokitjet e tifozëve.
“Këto ditë kanë qenë të mjaftueshme për të parë dëshirën e lojtarëve. Jemi realitet në Ligën e Kampioneve pas 23 vitesh. Sigurisht që për nga statistikat Ferencvaroshi është më mirë se. Edhe në investime diferencat janë të mëdha. Është një përballje e vështirë por futbolli luhet nga burrat. Dua që skuadra në fund të 90 minutave të ndihet krenare dhe tifozët tanë gjithashtu të jenë krenarë për atë që do të bëjnë futbollistët”.
51-vjecari italian nuk dëshiron të japë pika referimi përsa i përket formacionit që do të hedhë në fushë që nga minuta e parë, por nuk përjashtohet mundësia që të aktivizojë sulmuesit e mbërritur së fundmi në skuadër.
“Nuk mund të them asgjë për formacionin, do të vendos pasi të shoh gjendjen e gjithsecilit. Ekuban dhe Volas kanë mbërritur së fundmi dhe është normale që do t’u duhet më shumë kohë për t’u përshtatuir me grupin. Përsa i përket rezultatit, nuk më pëlqën të bëj parashikime. Për mua është e rëndësishme që futbollistët të derdhin edhe pikën e fundit të djersës”.
Në konferencën për shtyp përkrah trajnerit u shfaq kapiteni Alban Hoxha, i cili premton se Partizani do të bëjë të pamundurën për të treguar një nivel të lartë përballë kampionëve të Hungarisë.
“Të luash në Champions është kënaqësi, por nuk mund të them se ndihemi kampionë, sepse titullin dëshironim ta fitojmë në fushën e blertë. Jemi përgatitur me shumë seriozitet, por vetën fusha do ta tregojë se cfarë mund të bëjmë”.
Nga Slovan Bratislava në Europa League, te Ferencvaroshi në Champions. Hoxha e ka të qartë se niveli i kundërshtarit është edhe më i lartë.
“Tifozët i kemi patur gjithmonë me vete, në cdo stadium të Shqipërisë. Janë lojtari ynë i 12-të. E kemi studiuar Ferensvaroshin dhe mund të them se është i një niveli pak më të lartë se Slovan Bratislava. E kam të vështirë të them se sa shanse do të kemi”.