Athletic Bilbao dhe Mallorca do të takohen sonte në finalen e madhe të Kupës së Mbretit.
Kjo ndeshje do të zhvillohet nga ora 22:00, në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla.
Bilbao është skuadra e dytë më e suksesshme në këtë garë, pasi e ka fituar 23 herë trofeun – derisa finalja e sontme do të jetë e 40-ta e tyre në histori.
Skuadra e drejtuar nga Ernesto Valverde vlerësohet favorite absolute për të ngritur sonte trofeun e 24-të të Kupës së Mbretit.
Ndërsa, Mallorca, që ka qenë tri herë finaliste e Kupës së Mbretit, vetëm një herë ka triumfuar – në vitin 2003. Skuadra e drejtuar nga Javier Aguirre synon që ta përsërisë suksesin e njëjtë pas më shumë se dy dekadave.
Skuadrat do të jenë thuajse të kompletuara. Te baskët në dyshim mbetet Yeray Alvarez, kurse te “Piratët” në dyshim është Martin Valjent.
Padyshim se tifozët e Mallorcas dhe jo vetëm, shpresojnë që sonte të jetë në natën e tij Vedat Muriqi, i cili si zakonisht pritet t’i prijë edhe sonte sulmit të Mallorcas.
Vedat Muriqi ditë më parë deklaroi: “Ne jemi duke u përgatitur. E njohim tashmë Athleticon, kemi luajtur dy herë kundër tyre, por një finale është një histori tjetër. Nuk është si në ligë. Pra, siç na tha trajneri: ‘Finalet nuk luhen, fitohen’. Ne do të dalim dhe do të fitojmë. E njohim rivalin, jemi të përgatitur mendërisht dhe fizikisht dhe shkojmë në ‘La Cartuja’ për të ngritur Kupën. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që një ditë do të luaja në La Liga dhe as që do të luaja në një finale me fanellën e Mallorcas. Është diçka që nuk mund ta përshkruaj me fjalë, është diçka shumë e rëndësishme për mua. Nuk do ta harrojë kurrë”.