Rikthehet debati për ndryshime në futboll, por që nuk kanë lidhje me përdorimin apo jo të teknologjisë. FIFPro, Unioni Ndërkombëtar i Lojtarëve, ka kryer një sondazh dhe rezultati është vërtet impresionues. 84% e lojtarëve të pyetur në çdo kontinent janë pro idesë që në futboll të lejohet zëvendësimi i katërt, propozim që deri më sot është refuzuar dy herë nga Bordi Ndërkombëtar i Futbollit. Nga 205 lojtarët që kanë votuar në favor të këtij ndryshimi, 119 e tyre mendojnë se zëvendësimi ekstra duhet lejuar kur takimi shkon në shtesë, ndërsa 86 të tjerë janë dakord që lojtari i katërt të ndërrohet përgjatë 90 minutave të ndeshjes, pra brenda kohës së rregullt.
Gjithsesi, deri tani bëhet fjalë thjesht për një propozim, pasi vendimi u takon strukturave të tjera drejtuese. Duke prezantuar rezultatet e sondazhit, sekretari i përgjithshëm i FIFPro, Theo van Seggelen tha se futbollistët kanë të drejtë të shprehin opinionin e tyre në vendimmarrje, edhe pse bëhet fjalë për një ndryshim që ridimensionon rregullat tradicionale të futbollit.