Lakuriqët e natës frymëzojnë shkencëtarët për radarët që do të përdoren për të vëzhguar nëntokën e Marsit dhe të planetëve të tjera të Sistemit Diellor, për të marrë informacione me të sakta mbi përbërjen e strukturës së planetëve dhe të hënave të tyre, njofton revista shkencore “Nature Communications”, e cila teknologji është zhvilluar në Universitetin e Trentos nga Lorenzo Bruzzone dhe Leonardo Carrer.
Në gjendje të fluturojnë natën dhe në errësirën më absolute të shpellave ku strehohen, lakuriqët e natës përllogarisin mjedisin, identifikojnë dhe vlerësojnë distancën e objekteve, falë një sonde biologjike që i mundëson atyre të lëshojnë ultratinguj, më saktë valë akustike me frekuencë të lartë që nuk mund të dëgjohen nga veshi i njeriut, duke arritur të dëgjojnë jehonën që përplaset dhe kthehet pas nga objektet e ndryshme.
Duke u frymëzuar nga ky mekanizëm, studiuesit kanë përmirësuar efektshmërinë e teknikave për të përpunuar informacionet e kapura nga radarët.
“Kemi aplikuar idenë e fashës së dyfishtë të frekuencave, për të përmirësuar informacionin mbi studimet gjeofizike të kryera me radarë në gjendje të hyjnë nën sipërfaqen e trupave qiellorë të sistemit diellor”, shpjegon Bruzzone.
Në veçanti, shton ai, “kjo matje e dyfishtë është e nevojshme për të dalluar në mënyrë më të detajuar sinjalet që vijnë nga sipërfaqja dhe ata që vijnë nga nëntoka e planetëve dhe të hënave të tyre”.
Kjo shërben për të përmirësuar të kuptuarit e strukturës gjeologjike të trupave qiellorë.
Teknika është eksperimentuar në përpunimin e të dhënave të dërguara nga sondat që po eksplorojnë Marsin dhe hapi i radhës do të jetë që të përpunohen sisteme më të sofistikuar për radarët e gjeneratës së re, në gjendje të krijojnë të dhëna më të sakta. /kp/Telegrafi/