Federata e Futbollit e Sllovakisë ka bërë me dije se stadiumi për ndeshjen ndaj Kosovës, tashmë është “Sold-Out”, më tërë biletat e ndeshjes që janë shitur.
Kombëtarja e Kosovës do të udhëtojë për në Bratisllavë me 26 mars, për t’u ndeshur me Sllovakinë në kuadër të gjysmëfinales së “play-offit” për Botërorin e vitit 2026.
“Me kënaqësi të madhe njoftojmë se ndeshja gjysmëfinale e ‘play-offit’ për kualifikim në Kampionatin Botëror Sllovaki – Kosovë është zyrtarisht e shitur plotësisht. Kjo tregon qartë se përfaqësuesja sllovake ka mbështetje të madhe dhe kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe atraktive për tifozët tanë. Jemi të bindur se në ‘Stadiumin Kombëtar’ do të krijohet një atmosferë fantastike. Tribunat e mbushura plot mund t’u japin lojtarëve energjinë e nevojshme për performancë maksimale dhe për të kaluar këtë sfidë të vështirë. Dua t’u falënderoj sinqerisht të gjithë tifozëve për interesin dhe mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme. Së bashku jemi të fortë,” tha drejtori i SFZM, Lukáš Donoval.
Nëse lirohen ndonjë biletë nga numri i rezervuar për partnerët e SFZ-së, UEFA-n dhe Federatën e Futbollit të Kosovës, ato do të vihen në shitje online si bileta të veçanta, megjithatë ky numër është shumë i kufizuar, njofton më tutje Federata sllovake.
Para pak ditësh, edhe tifogrupi “Dardanët” që e mbështesin Kosovën, kishte njoftuar se të gjitha biletat në sektorin e tyre ishin shitur.
Ishte e bërë e ditur nga Federata sllovake se të paktën 1,000 bileta ishin rezervuar për tifozët kosovar.
Në rast se Kosova del triumfuese nga përballja me Sllovakinë, atëherë do të luajë si vendase në finalen e “play-offit”, me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani.


















