“Aktivitetet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit janë intensifikuar, gjë që ilustrohet më së miri nga prania e mercenarëve të Wagner dhe formacionit “Ujqërit e natës” në barrikadat që strukturat e Serbisë i kishin ngritur me urdhër të Vuçiqit në veri të Kosovës”, thotë Daniel Smith, ekspert i pavarur i marrëdhënieve ndërkombëtare në një intervistë për Danas.
Ai thotë se “Vuçiq e shfrytëzon temën e Kosovës për të shpëtuar nga problemet reale me të cilat ballafaqohen qytetarët e Serbisë”.
“Vuçiqi dhe elitat politike në Serbi nuk u shkëputën nga mentaliteti i Millosheviqit, ata kontaminuan opinionin publik në Serbi me tema të nacionalizmit, urrejtjes për të tjerët dhe kundër vlerave perëndimore”, thotë Smith. “Në këtë kontekst, për një të huaj që nuk e njeh mirë politikën serbe, arritja e një marrëveshjeje me Kosovën dhe një kompromis nga Serbia mund të duket e vështirë”.
Smith thotë se Vuçiq duhet ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi.
“Nëpërmjet strategjisë ‘përshkallëzim deri në deeskalim’, Vuçiq po përpiqet ta destabilizojë Kosovën dhe Ballkanin, për të përfituar edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja. Rrjedhimisht, derisa të arrihet një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke, Vuçiq do të shkaktojë sërish tensione që kërcënojnë seriozisht paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, thotë Smith.
“Vuçiq duhet ta kuptojë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje kompromisi, por njohje e realitetit, për të cilin vetë Vuçiq është i vetëdijshëm. Njohja e pavarësisë së Vojvodinës mund të quhet kompromis për Serbinë, për integrimin e saj në BE; autonomia për Sanxhakun apo Luginën e Preshevës, por jo pranimi i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, të cilin e ka kërkuar vetë Serbia”, shton ai.
Lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë Serbe, Smith thotë se Perëndimi duhet ta ketë parasysh se “Kosova nuk mund të bëjë kompromis me shtetësinë e saj, karakterin unik dhe multietnik të shtetit”.
“Historia ka vërtetuar se entitete si Republika Srpska janë të rrezikshme për stabilitetin e shteteve multietnike, stabilitetin rajonal dhe mund të shërbejnë si një mjet për Serbinë dhe Rusinë për të destabilizuar Ballkanin”.
“Kosova është një rast i veçantë i ofrimit të gamës më të gjerë të të drejtave dhe lirive për pakicat në Evropë dhe në botë”, thekson ai.“Këto të drejta të garantuara merren si të mirëqena. Ajo që është evidente është se Vuçiqi dhe Serbia nuk janë të interesuar për të drejtat e serbëve në Kosovë, sepse realizimi i këtyre të drejtave do t’i çlironte serbët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës nga regjimi i Vuçiqit”, shton ai.
Smith thotë se “Vuçiq është i interesuar t’i përdorë serbët e Kosovës si skllevër të tij personal për ta forcuar nacionalizmin, për vota e për të qëndruar në pushtet dhe si pengje të presionit ndaj bashkësisë ndërkombëtare”.